Olgert Serani 26.09.2014 21:15
Federata Shqiptare e Volejbollit ka hedhur më në fund shortin e kampionatit kombëtar për sezonin sportiv 2014-2015. Java e parë rezervoi çifte interesante si te Grupi A1 i femrave dhe te meshkujt. Kampionet e “Barleti Volej” (ish-UMB Volej) do të nisin rrugën e mbrojtjes së titullit të parë në histori me Teutën, kundërshtaren të cilën e mposhtën të mërkurën në finalen e Kupës së Federatës, ndërsa kampionët e Studentit do të përballen në derbin e kryeqytetit me Tiranën.
Në fakt, data e shpallur nga sekretari i Përgjithshëm i Federatës Leonard Tase për nisjen e sezonit më 3 tetor (e premte) për meshkujt dhe 4 tetor (e shtunë) për femrat u kontestua nga trajneri i bardhebluve Arben Sako dhe ai i Vllaznisë Artan Kalaja. Nëse trajneri Sako pretendoi se katër seanca stërvitore në javë nuk janë të mjaftueshme, kreu i kuqebluve e justifikoi me angazhimet personale të lojtarëve.
Pas diskutimeve mes të pranishmëve, sekretari Tase u la klubeve edhe 24 orë afat për të kthyer përgjigje përfundimtare me planifikimet e ditëve pasi të jenë konsultuar me klubet përkatëse. Sipas kalendarit të 2014-2015, meshkujt do të luajnë në tri faza. Dy të parat do të mbyllen më 27 dhjetor. Ndërsa faza e tretë (shorti i fazës së parë) do të nisë më 14 shkurt dhe ul siparin më 27 mars.
Ekipi “kampion” do të shpallet ai që do të fitojë 3 nga 5 finalet e mundshme të “play-off”-it. Sipas sekretarit Tase, në mes të kampionatit është planifikuar Kupa e Flamurit, 25-26 nëntor për meshkuj dhe 27-28 nëntor për femra. Pas pushimit 1-14 janar 2015, sezoni rinis me gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë që do të luhen më 15- 17 dhe 22-24 janar 2014.
Këtë vit është rënë dakord që pjesë e Kupës të jetë veç grupit të elitës edhe “kampionia” e të rinjve Tirana Volleyball Team. Ndërsa më 31 janar do të luhen finalet e Superkupës (femra dhe meshkuj). Sakaq, femrat, të ndara në 2 grupe A1 (8 ekipe) dhe A2 (6 ekipe), do të luajnë nga dy faza ku e para mbyllet më 14 nëntor. Më 3-5 dhjetor do të luhen gjysmëfinalet e Kupës (vetëm A1) për të kurorëzuar fituesen e aktivitetit më 4-5 shkurt të vitit të ardhshëm.
Femrat i rikthehen garës së kampionatit me fazën e dytë, e cila nis më 14 shkurt dhe përfundon më 28 mars, ndërsa faza finale e “play off”-it starton më 2 prill.
Shorti i kampionatit kombëtar të Volejbollit (sezoni 2014-2015)
Meshkuj
1) Skënderbeu
2) Vllaznia
3) Farka Volej
4) Studenti
5) Tirana
6) Elbasani
7) Teuta
Java e parë
(3 tetor 2014)
Vllaznia – Teuta
Farka Volej – Elbasani
Studenti – Tirana
Skënderbeu (pushim)
Femra A1
1) Tirana
2) Teuta
3) Flamurtari
4) Skënderbeu
5) Vllaznia
6) Partizani
7) Barleti Volej
8) Studenti
Java e parë
(4 tetor 2014)
Tirana – Studenti
Teuta – Barleti Volej
Flamurtari – Partizani
Skënderbeu – Vllaznia
Femra A2
1) Elbasani
2) Dinamo
3) Vlora
4) Apolonia
5) Minatori
6) Korabi
Java e parë
(4 tetor 2014)
Elbasani – Korabi
Dinamo – Minatori
Vlora – Apolonia