AlbanianSport.com 30/10/2021 20:10
ASNN – Zyrtarizohet Kupa “Pavarsia” në fund të nëntorit, projektohet turneu “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Bashkëpunimi sportiv midis Shqipërisë dhe Kosovës vijon të intensifikohet dhe po ashtu po rritet edhe numri i veprimtarive të përbashkëta. Tanimë është edhe volejbolli që do ta ngrejë në një tjetër nivel bashkëpunimin në të dy anët e kufirit shqiptar.
Kështu, ditën e shtunë, u zhvillua në Tiranë, një takim midis drejtuesve të Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV), Presidetit të saj, Erlind Pëllumbi, dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Albens Vokopola, dhe drejtuesve të Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), Kryetarit të saj, Bahri Gjinovci, dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Valon Nikqi.
Sipas një njoftimi të organizmit që qeveris rrjetën shqiptare, në këtë takim, drejtuesit e dy Federatave përcaktuan mënyren e mbajtjes së Kupës “Pavarësia” në nivel klubesh, që do të zhvillohet në Prishtinë, nga data 26, deri më 28 nëntor 2021. Kjo Kupë, që do të zhvillohet një vit në Kosovë dhe një vit në Shqipëri do të ngrejë siparin e krijimit të Ligës “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, për të cilën do të shikohet mundësia e organizimit që në fillim të vitit 2022.
Federata Shqiptare të Volejbollit thekson i mirëpret këto organizime, jo vetëm për ballafaqimet midis nesh, por edhe për shkëmbimin e përvojës midis dy familjeve të volejbollit në të dy anët e kufirit shqiptar.