Gjergj Vyshka 06.09.2015 13:05
Dy pyetjet e Hasan Gurabardhit, trajnerit të Universitetit “Marin Barleti” kanë sjell të tjera pështjellime në asamblenë e jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Volejbollit shqiptar. “Së pari, – ka thënë Gurabardhi, – pas dorëheqjes se sekretarit Tase a ka mundësi të dimë pse dha dorëheqjen dhe zonja e nderuar Anila Hoxha? Së dyti ju ka ardhur një peticion nga lojtaret çfarë do të bëhet?”
“Për mua Tase duhet të jetë i komanduar, sepse Federata, aq më tepër që jemi në prag të sezonit, nuk mund të bëjë pa sekretar”, – ka thënë trajneri, duke kërkuar një rikthim prapa në rrënjën e problemit, që nisi me dorëheqjen e Tases. Dhe menjëherë ka reaguar Pëllumbi, që ka sqaruar se pezullimi i Tases dhe i financieres Metaj (Pirra) janë bërë me vendim të kryesisë.
“Ne sot e kësaj dite nuk e dimë pse-në e dorëheqjes së Tases dhe jo të dimë pse-në e dorëheqjes së Hoxhës”, – ka thënë Pëllumbi, që kështu i ka dhënë shkas ish-sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Leonard Tase, që të sqarojë pozicionin e tij. “Duhet të mos hidhni baltë mbi punën tonë, sepse nëse nuk janë larë borxhet kjo ka ardhur nga fakti që nuk duhej penguar veprimtaria”, – ka thënë Tase.
“Le të vijë auditi, por duhet të dini që ne nuk kemi fshehur asgjë. Është 70 vjetori i Federatës Shqiptare të Volejbollit sivjet dhe duhet të kishim tjetër atmosferë”, – ka përfunduar ish-Sekretari i Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Leonard Tase.