Gjergj Vyshka 08.01.2016 09:25
Nga Minatori tek Partizani, më pas tek Tirana, përsëri tek mirditoret për t’u akomoduar tek Barleti Volej. Trajneri shijakas deri më tani numëron tre tituj “kampion”, pa harruar të gjitha trofetë e tjera të fituara. AlbanianSport.com do t’ju sjellë këtu në 4 pjesë profilin që bashkëpunëtori ynë, Gjergj Vyshka ka përgatitur për të përditshmen sportive shqiptare “Sport Ekspres” dhe sot është pjesa e katërt.
… vijon nga dje
Kosova një opsion më vete
Trajneri i Barleti Volejit, Hasan Gurabardhi, ka pasur oferta dhe ka aktualisht nga Kosova. Madje tashmë një pjesë e mirë e lojtareve të kampionatit shqiptar janë përqendruar në Kosovë. Kjo që nga Amarilda dhe Adelajda Prenga për të vazhduar me Gashin, Matoshin, Gjermenin e Harxhin. Pra gati shtatë-tetë lojtare, kurse tregu kosovar mund të joshi dhe të tjera. “Shiko çdo ekip ka veçantitë e veta, – thotë ai.
“Por unë kudo që kam punuar kam pasur vetëm një objektiv, trofetë, – vijon Gurabardhi. – Kam takuar dhe një figurë të sportit si Sokol Morina, i cili jo vetëm që më ka uruar me gjithë zemër për sukseset, por më ka quajtur “hero” për kushtet ku ne punojmë. Sepse duhet shteti të ndërhyjë për të pasur një volejboll cilësor. Nuk kam kërkuar që të shkojë jashtë shtetit. Por Kosova mbetet një opsion që mund ta realizoj”.
Familja dhe Erzeni
Hasan Gurabardhi nuk thotë kurrë se kur do ta përfundojë karrierën e tij. Por e ka një ëndërr, sepse ka ndërtuar të gjithë karrierën e tij sportive në Shijak. “Ëndrra ime është ta mbyll si trajner tek Erzeni, ndërsa skuadra mund të bëhet, sepse ka shumë lojtar shijakas në qarkullim. E kjo që nga Kasa, Xhija, vëllezërit Vora etj” – thotë ish-volejbollisti shijakas.
“Ekzistojnë mundësitë jo vetëm për të përfunduar pallatin e sportit në Shijak, por dhe për të kthyer atë traditë të bukur që kemi pasur me volejbollin e meshkujve”, – shton ai. Dhe të gjithë këtë sukses, në të mirë e në të keq, sepse Gurabardhi e karakterizon dhe kryeneçësia, ia dedikon familjes. “Janë ata që më qëndrojnë pranë dhe jetojnë me problemet e mia”, – thotë duke përfunduar Gurabardhi, që bëri 10 vjet si trajner i volejbollit të femrave.