Gjergj Vyshka 06.01.2016 12:05
Nga Minatori tek Partizani, më pas tek Tirana, përsëri tek mirditoret për t’u akomoduar tek Barleti Volej. Trajneri shijakas deri më tani numëron tre tituj “kampion”, pa harruar të gjitha trofetë e tjera të fituara. AlbanianSport.com do t’ju sjellë këtu në 4 pjesë profilin që bashkëpunëtori ynë, Gjergj Vyshka ka përgatitur për të përditshmen sportive shqiptare “Sport Ekspres” dhe sot është pjesa e dytë.
… vijon nga dje
Tomorri e shtyn tek Minatori
Sezoni 2004-2005 dhe tek Minatori në volejboll për femra me lojtare të tilla si Dalina Kola, Hoxha, Tuci, Ornela dhe Silvana Hoxha, Junida Sholla, gjërat nuk duket se po ecnin mirë. Skuadra në fund të fazës së parë ishte në vendin e 5-të dhe drejtuesit mirditorë kishin vendosur që të ndërprisnin marrëdhëniet me trajnerin aktual Artan Pogoni.
Dhe për çudi, edhe pse në volejbollin e femrave të Shqipërisë në atë kishte shumë emra prestigjioz, trajneri i Studentit në volejboll për meshkuj, Ylli Tomorri, u jep mirditoreve emrin e Hasan Gurabardhit. “Kumbari” i tij duket se nuk e ka pasur gabim në këtë përzgjedhje, sepse Gurabardhi me përvojën e marrë tek Studenti si ndihmëstrajner arrin ta nxjerrë nënkampion Minatorin, si dhe finalist të Kupës së Shqipërisë. Por me mirditoret deri në fund të sezonit 2004-2005.
Teuta, stacioni i dytë
Presidenti i durrsakeve Ramazan Kërçuku e ka tërhequr tek Teuta dhe Gurabardhi së bashku me ndihmëstrajnerin Edmond Jazenxhiun, sot trajneri aktual i volejbollit të femrave, marrin përsipër ndërtimin e një skuadre fituese. Veçse puna e nisur nga Gurabardhi është lënë në mes.
“Ne kishim 20 ndeshje që fitonim dhe në një humbje më 22 shkurt 2006 kam dhënë dorëheqjen, – thotë ai. – Mos harroni që në atë skuadër luanin Huqi, Çollaku, Neli, Xhyliu, Llupo, Muho, Begiçi, Duma dhe Murzaku. E atë vit skuadra doli “kampion”.
Partizani, për dy sezone
Hasan Gurabardhi edhe me idenë e presidentit Pëllumb Alimadhi për dy sezone është në krye të Partizanit në sezonet 2006-2007 dhe 2007-2008. Dhe Partizani është skuadra që do të zbulojë për herë të parë Enkelejda Brahon, e cila asokohe do të ishte 15 vjeç. E puna e ngritur tek të kuqet, ndërsa ka pasur përkrah dhe Enkelejda Lleshin, e dërgon në një piacë më të lartë.
Vijon nesër…