Gjergj Vyshka 06.09.2015 19:50
Pavarësisht se është diskutuar gjatë e gjerë për çështjen e transferimit të lojtarëve nuk është marrë vendim. Dhe ky korrigjim i rregullores së brendshme, por dhe vendimi për auditin e Federatës i është lënë të zgjedhurve të rinj, të cilët do të dalin nga asambleja zgjedhore e 4 tetorit. Duket e gjitha “shumë zhurmë për asgjë”, sepse as kryesia e dorëhequr, por as delegatët në këtë kolaps të madh financiar ku është volejbolli nuk e zgjidhin dot situatën.
Doçi ka premtuar se të paktën anën financiare deri më 4 tetor do ta rregullojë, kurse nuk do të kandidojë më për president. Kurse për sekretar duket se kryesia e dorëhequr e ka marrë përsipër ta bëjë vetë deri në zgjedhjet e reja. Ajo që duhet evidentuar është fakti se kanë qenë të pranishëm mjeshtrit e volejbollit shqiptar Vangjel Koja, Kreshnik Tartari, Vasil Binga, Hazbi Kotoni. Por jo vetëm kaq.
Por ka qenë edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, sekretari i përgjithshëm, Stavri Bello, shefi i sportit elitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Arjan Konomi dhe shefja e sportit shkollor, Elvira Baze. Asambleja kishte vëmendjen e të gjithëve, u hapën “petët e lakrorit”, por nuk u zgjidh asgjë, ndërsa volejbolli ka mbetur përsëri me rrjetë të çarë…