Gjergj Vyshka 04.06.2017 09:00
Mbrëmë, në mjediset e hotel “White Dream” në kryeqytet, Federata Shqiptare e Volejbollit ka bërë prezantimin e uniformave të reja të ekipeve kombëtare të rrjetës, të të gjitha grupmoshave, të cilat duke nisur nga e premtja e ardhshme do të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi në evenimentet ndërkombëtare. Përgatitja e uniformave të reja u bë në bashkëpunim me firmën “Errea”, një nga sponsorët e FSHV-së, përfaqësues të së cilës ishin sot në ceremoninë e prezantimit para mediave.
Ashtu sikurse është bërë dhe me gjyqtarët, edhe për skuadrat përfaqësuese ka menduar firma në fjalë, ndërsa është një kontratë 4-vjeçare bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Volejbollit. Madje me të njëjtën veshje do të jetë dhe kombëtaret e moshave, të cilat do të marrin pjesë në Kampionatin Ballkanik. Por parashikohet që edhe klubet të mund të përfitojnë bazën materiale nga kjo firmë, sikurse do të përfitojnë dhe lehtësi të tjera lojtarët, apo të gjithë anëtarët e Federatës Shqiptare të Volejbollit nëpërmjet kartës elektronike.
“Ne kishim dëshirë që të prezantonim këto fanella të reja, ndërsa nuk kemi shumë gjëra për të diskutuar duke pritur që t’ua lëmë juve fjalën në fushën e lojës pas pak ditësh”, – ka thënë presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi. Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola, ka dhënë dhe detajet e fanellës. E para e kuqe me mbathje të zeza dhe e dyta e bardhë me mbathje të kuqe, por gjithnjë me shqiponjën si simbol. Sepse të gjithë do të marrin termin lojtarë “shqiponjë”.