Gjergj Vyshka 15.01.2017 09:25
Burime nga Federata Shqiptare e Volejbollit bëjnë të ditur se nuk janë ata që i kanë hequr si të tillë Altin Telon dhe Erjon Mujon, që nuk figurojnë më si gjyqtarë ndërkombëtarë të volejbollit shqiptar. E vetmja gjë që kanë çuar në institucionet ndërkombëtare është numri i ndeshjeve kombëtare.
“Ne kemi plotësuar një formular për Federatën Botërore të Volejbollit dhe Federatën Evropiane të Volejbollit, ndërsa në një kolonë kemi shënuar numrin e ndeshjeve në arenën kombëtare që ata kanë pasur, – bëjnë të ditur burime pranë FSHV-së, e cila sidoqoftë nuk ka reaguar zyrtarisht mbi këtë çështje. – E duke qenë se kanë parë që disa kanë 30-35 ndeshje e këta 2 apo 4 ndeshje, atëherë e kanë marrë ata vendimin.”
“Ne nuk kemi hequr njeri dhe nuk kemi të drejtë të heqim njeri përderisa edhe në mesjavë kanë qenë në veprimtari, – kanë pretenduar më tej burimet në fjalë. – Po të ishte kështu do ta kishim bërë që një vit përpara, ndërsa nuk pranuan të firmosnin kontratën e bashkëpunimit me ne, por morën vendimin e bojkotit. Të gjithë duhet të kuptojnë se nuk kemi hequr askënd nga gjyqtar ndërkombëtar.”