AlbanianSport.com 13/06/2018 11:35
ASNN – Mimoza Ibrahimi është një ikonë e volejbollit shqiptar për gjithçka që ka dhënë teksa ishte pjesë e Dinamos së Kreshnik Tartarit, që shënoi kulmin duke e dalë e treta në Evropë më 1990.
Jo vetëm kaq, por pasuesja më e mirë në historinë e rrjetës shqiptare të femrave, ka qenë pjesë integrale e kombëtares së femrave, medalje të arta në Lojërat Mesdhetare në Latakia 1987, por dhe Kampione të Ballkanit më 1990.
E pikërisht për këtë arsye, duke shpresuar se do të jetë një motivim për kombëtaren e vajzave, e cila do të marrë pjesë në fazën finale të Ligës së Evropës, më 16 dhe 17 qershor 2018, Mimoza Ibrahimi është nderuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit.
Me në krye Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Albens Vokopola, kombëtarja ka qenë në mjediset e punës së Ibrahimit. Tufë me lule dhe një fanellë me emrin e saj, si dhe një “faleminderit” për gjithçka që ka dhënë për volejbollin shqiptar.