Gjergj Vyshka 23.11.2016 13:30
Federata Shqiptare e Volejbollit ka njoftuar dje se do të ketë përsëri ndryshime në oraret e ndeshjeve për javën e 9-të të fazës së parë të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit të Meshkujve.
Ndodh kështu, sepse dy sfidat që do të luhen në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, Farka Volej-Erzeni dhe Tirana-Studenti, ashtu sikurse ka ndodhur më së shumti gjatë gjithë fazës së parë të meshkujve, do të transmetohen në RTSH.
Kështu, të premten, duke nisur nga në ora 16:00, në Rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, në kanalin e dytë tokësor, TVSH, dhe në atë RTSH Sport të platformës dixhitale, direkt nga Pallati i Sportit “Asllan Rusi” do të trasmetohet Farka Volej-Erzeni.
Ndërsa duke nisur nga ora 18:00, transmetuesi publik do të sjellë kryesfidën e fazës së parë, Tirana-Studenti. Dy ndeshjet e tjera, Vllaznia-Elbasani dhe Teuta-Partizani, do të zhvillohen sipas programit, të shtunën.