Gjergj Vyshka 07.04.2016 08:35
Federata Shqiptare e Volejbollit, ndryshe nga një ditë më parë, vetëm dje e ka sjellë vendimin e plotë dhe të argumentuar të Komisionit të Disiplinës, që ka dënuar për tetë muaj e gjysëm Stela Agollin e Tiranës, si dhe e ka gjobitur atë me 20.000 lekë të rinj. Në vendim thuhet:
“Komisioni i Disiplinës i mbledhur më 4 prill 2016, i përbërë nga Sokol Halili kryetar dhe Lorenc Golloshi dhe Genti Hoxha anëtarë, pasi analizoi ngjarjen e datës 3 prill në takimin midis Tiranës dhe Partizanit të zhvilluar në palestrën sportive “Fahrie Hoti” (kampionati kombëtar i të rejave) dhe mbështetur në proces-verbalin e datës 3 prill 2016, si dhe në deklarimet e gjyqtarëve të ndeshjes Ramadan Tafili (gjyqtar i parë) dhe Enri Zenullari (gjyqtar i dytë) konstatoi se: Kapitenia e Tiranës, Stela Agolli, në përfundim të ndeshjes ka demonstruar sjellje antisportive, sharje, ofendime, duke precipituar në dhunë fizike kundrejt lojtareve të Partizanit. Për sa më sipër duke parë që ky veprim bie në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të Volejbollit, Kodin e Etikës dhe Rregulloren e Disiplinës (neni 2.1 pika d dhe e, neni 2.5 dhe neni 4) lojtarja Stela Agolli të pezullohet për një periudhë kohore nga të gjitha zyrtare kombëtare, ndërkombëtare dhe miqësoret e organizuar nga Federata Shqiptare e Volejbollit duke filluar nga data 4 prill 2016 deri në 31 dhjetor 2016, si dhe të gjobitet në shumën 20.000 lekë të rinj.”
Ky është vendim, por megjithatë duket se nuk është plotësisht argumentues për dënim kaq të gjatë të lojtares, sepse po vetë në Kodin e Etikës dhe Rregullores së Disiplinës në nenin 4 për kompetencat e Komisionit të Disiplinës nuk parashikohet një dënim më i madh se 1-5 ndeshje.