AlbanianSport.com 29/11/2018 23:55
ASNN – Partizani në volejboll për femra ka bërë një tjetër goditje në merkato, duke e përforcuar sërish skuadrën e drejtuar nga trajneri Roland Tarja. Kampionia në fuqi e rrjetës shqiptare të femrave nuk e ka nisur siç duhet sezonin aktual, duke u renditur në vendin e 4-t në përfundim të fazës së parë, me 14 pikë, 5 më pak sesa Mirdita kryesuese, ndërsa mbi të kuqet kryeqytetase renditen edhe Tirana dhe Barleti Volej.
Ndonëse vendi në 4-shin e “play-off”-it final nuk vihet në diskutim, Partizani ka patur luhatje në lojën e vet dhe kjo ka bërë që të kuqet të përfshihen sërish në merkato, duke sjellë një volejbolliste turke. Nefize Bajramollu, e cila luan në pozicionin 4, ka mbërritur në kryeqytet dhe ka nisur stërvitjen me skuadrën e Tares, duke u bërë e para lojtare turke në kampionatin shqiptar të volejbollit të femrave.
26-vjeçarja e cila është 1 m e 87 cm e lartë, ka luajtur më parë në 6 skuadra, të gjitha në Turqi, dhe këtë sezon e pati nisur me Balëkesirin, për t’u zhvendosur tanimë tek Partizani. Presidenti i klubit të volejbollit të Partizanit për femra, Rogert Huqi, ka premtuar se në janar do të ketë përforcime të tjera, që padyshim do të jenë, sipas tij, një surprizë e këndshme për të gjithë admiruesit e volejbollit në vend.
“Ashtu sikundër sezonin e shkuar, edhe në fund të këtij sezoni unë u premtoj tifozëve të Partizanit një tjetër festë”, – ka theksuar Huqi, ndërsa Bajramolluja i bashkohet kështu ukrainases Ollga Uglenko, e cila erdhi tek Partizani në fillim të këtij sezoni. Partizani e mbylli fazën e parë me 5 fitore dhe 2 humbje në 7 javët e para, por nuk e rrezikon vendin në “play-off”-in për titull.