Gjergj Vyshka 24.09.2014 16:55
Gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Federatës në Volejboll për femra, mes UMB Volej dhe Tiranës, mund të konsiderohej dhe si një finale e parakohshme. Ka rënë kështu edhe për shkak të pozicioneve që kanë pasur ekipet në fund të sezonit 2013-2014. Por sigurisht që për të mirën e këtij aktiviteti do të ishte që të dy këto skuadra të ishin përballë njëra-tjetrës sonte në finale. Sepse përtej lojës së mirë dhe vazhdimisht cilësore të UMB Volejit, Tirana sot për sot është një rival i denjë për çdo trofe.
Është pritur më shumë prej kësaj skuadre, teksa Amarilda Prenga, e konsideruar si treçereku i skuadrës, pasi e tillë ka qenë deri vjet tek Partizani, duhet të kishte dhënë më shumë. Pse jo dhe Matoshi, sërish një lojtare lider deri vjet tek Teuta, apo dhe Blloku, e cila ka luajtur në Kosovë. Të tria këto lojtare, duke u alternuar mirë me Matrakun, Thakën e Fagun, apo Vokrrin, e bëjnë Tiranën të frikshme. Pavarësisht se dje fati i ka buzëqeshur kampiones në fuqi të volejbollit të femrave.
Në setin e parë, në pushimin e parë teknik, UMB Volej është në epërsi 12-9. Por Tirana me forcën e saj karakteristike, por dhe me peshën e fanellës, ka barazuar në 12-12. 18-16, 20-16 dhe në fund 25-18 për UMB Volejin. I dyti ka nisur mirë për Tiranën, e cila ka kryesuar deri në 5-8. Por më pas ka kthyer UMB Voleji në 12-9, 17-15, 21-19, 23-20 dhe në fund 25-20. Megjithatë, Tirana e nis sërish me epërsi dhe setin e tretë fillimisht në 5-6 dhe më pas në 10-12.
Por përsëri ka kthyer UMB Voleji, e cila e ka fituar edhe setin e tretë 25-20 dhe të gjithë ndeshjen 3-0. Në shifra, pikëshënuesja e ndeshjes ishte Bici i UMB Volejit me 14 pikë, e ndjekur nga Tuci me 12 pikë dhe Braho me 11 pikë. Në bllok ka dalë fituese Nezaj e UMB Volejit me gjashtë mure fituese. Kurse në shërbim janë ndarë me nga tre fituese, Harxhi e UMB Volejit dhe Matoshi i Tiranës. Në total UMB Volej ka shënuar 75 pikë, prej të cilave 62 vetë, kurse 13 kanë ardhur nga gabimet e bardhebluve.
Në krahun tjetër Tirana në tre sete ka shënuar 58 pikë, nga të cilat 39 vetë, kurse 19 kanë ardhur nga gabimet e kampioneve, atje ku jo pak Bici në tre sulme vetëm një e kishte pikë. Megjithatë skuadra e Gurabardhit është sot në finale përballë Teutës.
UMB Volej – Tirana 3-0
(25-18, 25-20, 25-20)
UMB Volej: Braho, M. Tuci, Nezaj, Bici, Harxhi, A. Gjermeni, Fagu (L) / J. Gjermeni. Trajner: H. Gurabardhi
Tirana: Am. Prenga, M. Fagu, Thaka, Matraku, Matoshi, Pirra, Meta (L) / Vokrri, Blloku, Agolli. Trajner: A. Gorenxa
Gjyqtarë: Ko. Gjoka (Tiranë), G. Zuna (Durrës)