Gjergj Vyshka 24.09.2014 10:55
Rrjeta shqiptare nis aktivitetet e saj kombëtare, ndërsa për katër ditë pushton “Asllan Rusin”. Zhgënjen Partizani, Tirana, pavarësisht përforcimeve, duket se kërkon kohë për t’u konsoliduar. UMB Volej- Teuta është finalja e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit për femra, një veprimtari e cila ka nisur dje, ndërsa ka ngritur siparin e veprimtarive të sezonit 2014-2015.
Veprimtari do të jenë të shtrira deri të premten, sepse pas femrave, po në “Asllan Rusi”, e kanë radhën meshkujt. Për t’i dhënë një tjetër nivel kësaj veprimtarie, ndryshe nga finalet e Superkupës dhe Kupës së Shqipërisë, apo dhe të Play-off për titull, të gjitha këto në sezonin 2013-2014, dje Federata Shqiptare e Volejbollit kishte vendosur të shtronte tapetin e gomës të njohur në të gjitha veprimtaritë e rrjetës ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për tarafleksin, ndërsa Kupa e Federatës Shqiptare të Volejbollit ka qenë një testim dhe për gjyqtarët e rinj, të cilët kanë bërë jo vetëm sekretarinë në plotësimin e protokollit, por dhe kanë luajtur rolin e anësorëve. Ajo që ka zhgënjyer ishte niveli i gjysmëfinaleve, ndërsa pritej një tjetër Partizani, i cili me meritë ka qenë nënkampion i sezonit 2013-2014.
Sikurse pritej dhe një Tiranë më solide, e cila me të gjitha përforcimet që ka bërë, përtej mosdaljes në finalen e Kupës së Federatës Shqiptare të Volejbollit, duket se do të jetë rivali i vetëm në të gjitha aktivitetet kombëtare për trofe me UMB Volej.