Gjergj Vyshka 12.11.2015 11:50
Trajneri i Studentit: “Nuk kemi preferuar të marrim lojtarë të huaj sivjet, por vetëm dy volejbollistë nga kampionati shqiptar, sepse Studenti përfaqëson të gjithë rrjetën vendëse. Dhe shpresojmë të jemi dinjitozë.” Studenti tashmë është gati për përballjen e parë në “Challenge Cup në volejboll për meshkuj ndaj serbëve të Spartak Ljigut. Një kundërshtar i vështirë dhe i fortë, të paktën edhe sipas intervistës që ka dhënë për “Sport Ekspres”, trajneri i Studentit, Ylli Tomori.
Aq më tepër që janë fitues në fuqi të Kupës Ballkanike. Nga Kupa e Federatës tek kampionati skuadra ka pasur një rritje cilësore, ndërkohë që Tomori nuk ka preferuar përforcime nga jashtë siç dhe ka bërë në përballjet me Unirea Dean më 2012-ën, apo Fino Kaposvar më 2014-ën, e pse jo dhe në Kupën Ballkanike në Tiranë më 2013-ën, por ka marrë vetëm dy përforcime nga kampionati shqiptar. Rrashketa dhe Qafarena i janë bashkuar grupit të volejbollistëve që premtojnë se do të bëjnë një paraqitje dinjitoze.
E duke iu referuar fitores në Kupën Ballkanike, 3-2 me Vojvodinë, Tomori përdor shprehjen “kurrë mos thuaj kurrë”. Ja dhe intervista e tij për “Sport Ekspres”
– Ndryshe nga ndeshja e Kupës së Federatës ku ju ishit i pakënaqur çfarë ndryshoi në takimin e luajtur me Teutën në kampionat?
– Është e vërtetë që unë isha i pakënaqur, sepse skuadra nuk dha atë që ka bërë në stërvitje, apo që kishte muaj që përgatiste. Sigurisht që në sport ka edhe luhatje, por për përgatitjen që ka bërë skuadra në atë ndeshje duhet të ishte ndryshe. Janë gjëra që edhe nuk përtypen, sepse në Kupën e Federatës, kur kanë muaj që përgatiten, duhet të ishin krejtësisht ndryshe. Në ndeshjen e kampionatit ndaj Teutës skuadra hyri me tjetër mentalitet, paraqiti tjetër nivel loje dhe në fund fitoi 3-0. Që shpresojmë ta kemi dhe në vazhdimësi një tjetër nivel.
– Për ndeshjen me Spartak Ljigun keni preferuar të kërkoni të tjera përforcime, siç dhe keni bërë në rastet e tjera, apo besoni tek grupi?
– Jo nuk kemi preferuar të huaj. Kemi mbajtur po këtë grup lojtarësh duke shtuar dy volejbollistë, të cilët vijnë nga kampionati shqiptar. Sepse qoftë Vllaznia, apo qoftë çdo skuadër nëpërmjet Studentit në Kupat e Evropës paraqet volejbollin shqiptar. Kemi marrë dy lojtarë nga Vllaznia. I pari është Rrashketa, sepse kishim detyrimin ta thërritnim në kushtet kur ai e ka përfunduar kampionatin me ne. Dhe i dyti Qafarena i ri, një lojtar me shumë perspektivë. E kështu mendoj të jemi dinjitoz në fushë.
– Cili është niveli i kundërshtarit që do të keni përballë, ndërsa shkolla serbe njihet në Evropë dhe në botë?
– Shumë e lartë. Spartak Ljigu është kampione e Serbisë, por në të njëjtën kohë edhe Kampione e Ballkanit kur ka eliminuar Beshiktashin, si dhe një skuadër rumune. Pra nuk është pak për të thënë një kundërshtar shumë i fortë.
– Para dy vjetësh keni mundur Vojvodinën në Kupën Ballkanike, 3-2. A mund të përsëritet ky sukses?
– Kurrë mos thuaj kurrë. Por mos harroni që para dy vjetësh kemi pasur lojtarë të huaj. Skuadra ka qenë dy vjet më e re, kurse sot disa lojtarë nuk janë. Është një grup i ri, ndërsa i druhem mungesës së eksperiencës në nivelet ndërkombëtare. Por megjithatë nuk e kam humbur besimin kurrë.
– Ju përmendet Rrashketën. A është Genti Lundra zëvendësuesi i tij dinjitoz?
– Genti Lundra nuk është edhe për shkak dëmtimesh në “thembrën e Akilit”. Kemi dhe dëmtime të tjera, por këtë nuk e them për t’u justifikuar për atë që do të ndodhë sot në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Me këtë grup që kemi mendoj të përballemi denjësisht me Spartak Ljig.
– Së fundi, një fitore edhe për të rritur imazhin e volejbollit shqiptar?
– Ashtu sikurse e përmendet edhe ju duhet një fitore për imazhin e volejbollit shqiptar dhe të Studentit në tërësi. Besoj dhe skuadra është stërvitur me këtë mentalitet këto ditë.