Gjergj Vyshka 07.01.2017 21:40
Partizani në volejboll për femra përgjatë merkatos së verës bëri një sërë afrimesh, teksa nga Tirana erdhën Esmeralda Tuci, Pirra, Blloku, Matraku, pa harruar këtu korçaren Kole. E këto lojtare iu bashkuan më pas grupit të lojtareve, të cilat kishin përfunduar sezonin e kaluar me Partizanit. Bëhet fjalë që nga Gongo, Shehu, Xhaferraj, Reka, Agolli etj.
E megjithë këtë, Partizani në fazën e parë arriti të renditej në vendin e dytë me pesë fitore dhe dy humbje. Grumbulloi 16 pikë dhe fitoi 17 sete e humbi nëntë. Parë kështu Tare gjykon që rezultati i fazës së parë është i kënaqshëm duke i shtuar këtu dhe kualifikimin për në fazën finale të Kupës së Shqipërisë, atje ku Partizani në gjysmëfinale do të përballet me Barletin Volej.
“Periudhën përgatitore, – tregon Tarja, duke analizuar gjysmën e sezonit, – ne e filluam me më shumë vonesë krahasuar me skuadrat e tjera. Në ndeshjet e para ne patëm vështirësi në kolaudimin e skuadrës e kjo në të gjitha repartet. Me kalimin e kohës gjetëm ekuilibrin e duhur dhe skuadra u shpreh mirë në fushën e lojës. Objektivi i fazës së parë ishte vendi i 4-t në renditje dhe besoj se rezultati përfundimtar është i kënaqshëm”.