Gjergj Vyshka 06.02.2015 17:05
Trajneri i Barleti Volej në volejboll për femra, Hasan Gurabardhi, shijon triumfin e radhës me skuadrën universitare që drejton prej 2 vitesh dhe kërkon të tjera trofe në të ardhmen. “Më vjen mirë që pamë një ndeshje të fortë dhe me rivalitet, skuadra me lojtare cilësore që e kërkuan fitoren”, – ka thënë ai.
“E kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe e dinim që nuk do të ishte e lehtë, – ka vijuar më tej trajneri i ekipit të Barleti Volejit. – Edhe ne ndodheshim përballë një të papriture, siç ishte volejbollistja malazeze e Tiranës, që e kishte rritur ndjeshëm forcën e kësaj skuadre.”
“Gjithsesi, ne treguam se jemi më skuadër dhe do të kërkojmë që këtë ritëm ta ruajmë deri në fund. Stërvitja do të jetë më e fortë dhe pretendimet më të mëdha, duke mos humbur asnjë ndeshje këtë sezon. Falënderoj edhe familjen Duda për mbështetjen që i ka dhënë ekipit”, – përfundoi trajneri i Barleti Volejit, Hasan Gurabardhi.