Gjergj Vyshka 23.04.2016 22:05
Trajneri Gurabardhi: “Nuk ka përfunduar asgjë. Tirana është rivale e fortë dhe duhet luftuar deri në pikën e fundit për të shkuar tek trofeu, sepse nuk mund të parashikohet se kush do jetë fituesja e tre takimeve të fundit.”
Barleti Volej, kampionia në fuqi e volejbollit të femrave në Shqipëri, e ka pasur të sigurt hapin e parë drejt rikonfirmimit të këtij trofeu, teksa dje në mbrëmje në “Asllan Rusi” ka mundur Tiranën, 3-1.
Mirëpo jo gjithçka ka shkuar “vaj”, sepse bardheblutë e Gorenxës kanë bërë rezistencë. Madje kur dy setet e fundit të ndeshjes janë ndarë në pikët e fundit do të thotë që jo çdo gjë do të jetë e lehtë në vazhdim.
Dhe këtë e pranon dhe trajneri i Barleti Volejit, Hasan Gurabardhi, sipas të cilit është ende e vështirë të parashikosh sot se cila do të jetë skuadra që do të fitojë tre ndeshje për të qenë më pas kampione.
“Unë jam i kënaqur nga paraqitja e vajzave, – ka thënë kreu i stolit të universitareve. – Megjithatë Tirana është rivale e fortë dhe mbetet e tillë deri në fund. Duhet vëmëndje e madhe deri në pikët finale të këtyre ndeshjeve, sepse asgjë nuk është e sigurt.”
“Parashikoj deri në fund sfida të forta dhe interesante”, – ka përfunduar trajneri i Barleti Volejit, Hasan Gurabardhi, për “Sport Ekspres”.