Gjergj Vyshka 21.04.2017 13:25
Vajzat e trajnerit Hasan Gurabardhit “arkivojnë” edhe titullin dhe e çojnë numrin e trofeve për klubin e tyre në 20 në katër vjet si ekip. “Jam shumë i lumtur, – ka deklaruar trajneri, duke folur pas triumfit të Barleti Volejit. – Fakt është se, përgjatë 4 viteve, ne kemi fituar gjithçka. Kjo është kupa e 20-të që fitojmë për 4 vjet.”
“Më tepër më gëzon fakti se Barleti Volej është ekipi më i ri në historikun e volejbollit shqiptar që shpallet “kampion”, – ka vijuar ai. – Me vajza të reja dhe me perspektivë. Ne e kemi dominuar plotësisht sezonin dhe për këtë ecuri meritë të veçantë kanë lojtaret titullare Braho, Tuci, Xheka dhe Fagu.”
“Por edhe lojtaret e reja kanë luajtur shumë mirë. Unë them se është një ekip me perspektivë, por që emocionet nuk na lejuan për të shfaqur edhe më të mirën. Ndonëse i fituam të tre finalet, kam rezerva se mund të luanin edhe më mirë”, – përfundoi trajneri i Barletit Volejit, Hasan Gurabardhi.