AlbanianSport.com 25/04/2019 20:15
ASNN – Trajneri bardheblu beson se Tirana nuk bëri ndeshjen e saj më të mirë, për Partizanin duket se është hedhur një hap i mirë drejt trofeut. Ndërkohë, rivali i Roland Tarjes, trajneri bardheblu Ardian Gorenca, nuk e fshehu zhgënjimin e tij nga humbja, teksa evidentoi gabimet e skuadrës dhe lojën jo aq të mirë të ekipit të tij. “Më vjen shumë keq për humbjen, pasi nuk e mendoja që skuadra do të paraqitej në këtë gjendje”, – u shpreh pas takimit trajneri i Tiranës, Ardian Gorenca.
“Ishim dobët në të gjitha aspektet, duke nisur nga shërbimi, topi i parë dhe mbrojtja. Ndonëse sporti ka dhe humbje, unë vetë nuk e kisha parë skuadrën në këtë gjendje, – vijoi ai më tej. – Qëllimi im është që të luajmë në mënyrën e duhur, por, në këtë ndeshje. ne nuk luajtëm në mënyrën tonë, edhe pse luanim në fushën tonë. Të gjitha setet u ndanë me pak diferencë pikësh, por unë prapë nuk jam i kënaqur me lojën e skuadrës time. Në takimin e kthimit shpresojmë të ndryshojmë.”
“Pavarsisht se koha që kemi në dispozicion nuk na mjafton. Dëshira është që të ruajmë kapacitetet fizike dhe teknike, si dhe të përmirësojmë aspektin psikologjik. Me Partizanin edhe mund të humbasësh, pasi ka në përbërje lojtare të huaja e cilësore dhe ne kemi vetëm volejbolliste shqiptare, por e thashë që në fillim se unë jam i pakënaqur për mënyrën se si luajtëm dhe unë nuk e kisha parë Tiranën në një gjendje të tillë të dobët”, – përfundoi trajneri i Tiranës në volejboll për femra, Ardian Gorenca.