AlbanianSport.com 21.10.2015 16:25
ASNN – Nuk pati shumë histori në derbin e kryeqytetit, të vlefshëm për gjysmëfinalet e 70-vjetorit të Kupës së Federatës në Volejboll për Femra. Ndërsa bardheblutë, me shumë përforcime si: Shkurti, Nezaj, Esmeralda Tuci apo edhe Remina Meta, luajtën me gjithë armatën titullare, Partizani zgjodhi ekipin e moshave duke mos e marrë seriozisht këtë veprimtari.
Që në ballafaqimin në nisje nuk kishte dyshime se Tirana do ta kishte shumë të lehtë kualifikimin dhe më tepër u duk si miqësore sesa zyrtare. Tirana shkëputet shpejt 7-0 duke mos u dhënë asnjë mundësi të rejave të Partizanit. Përballë përvojës e shtatlartësisë së bardhebluve me Shkurtin e rikthyer pas një viti pushim, Partizani shënoi pikën e parë, pasi Tirana udhëhiqte 19-0.
Më tepër një dhuratë e Nezajt pas një faulli, sesa meritë e rivaleve modeste. Ky set mbyllet 25-3. Të njëjtën tablo servirin edhe dy setet e ardhshme ku Tirana kërkoi ta mbyllte sa më herët sfidën dhe fitoi 25-6, 25-3, duke e fituar të gjithë takimin me rezultatin 3-0 dhe duke siguruar vendin në finalen e madhe, ku përballë do të ketë rivalen e madhe, Barleti Volejin.
Kupa e 70-vjetorit të
Federatës Shqiptare të Volejbollit
Femra
Gjysmëfinalet
(20 tetor 2015)
Tirana – Partizani 3-0
(25-3, 25-6, 25-3)
Barleti Volej – Teuta 3-0
(25-15, 25-13, 25-16)
Finalja
(22 tetor 2015)
Tirana – Barleti Volej ora 16:00
Meshkuj
Gjysmëfinalet
(21 tetor 2015)
Tirana – Teuta ora 16:00
Studenti – Vllaznia ora 18:00
Finalja:
Më 22 tetor 2015 ora 18:00