AlbanianSport.com 17.04.2016 08:35
ASNN – Tirana është një prej finalisteve të këtij edicioni për titull“kampion” në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar në volejboll për femra, falë fitores së pastër, 3-0, që arriti dje në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” të Korçës. Ndeshja e parë në kryeqytet kishte përfunduar po me fitoren e pastër të kryeqytetaseve, që edhe dje treguan se janë ndër pretendentet për fitimin e titullit kampion për këtë sezon.
Afërsisht një orë ka zgjatur ndeshja e djeshme, teksa vlen për t’u veçuar se kanë qenë mbi 200 tifozë në shkallët e Pallatit të Sportit, diçka vërtetë e bukur, por që nuk mundën të ishin shtysë për skuadrën e tyre të zemrës. Skënderbeu dje vuajti edhe dëmtimin e pasueses kryesore dhe kjo sigurisht që ia bëri punën më të lehtë Tiranës. Seti i parë i ndeshjes fillon menjëherë me epërsinë e mikeshave, 3-8, 9-15 dhe 16-22.
Kësisoj, ky set do të mbyllet 17-25 në favorin e Tiranës. Pritej që në setin e dytë të kishim ndonjë reagim nga ana e korçareve, por sigurisht përvoja bën të sajën dhe Tirana kryeson 2-7, 6-14 dhe në vazhdim ky set është më i lehtë për t’u fituar nga ana e mikeve. 14-25 është rezultati përfundimtar i setit të dytë dhe i treti është akoma edhe më i lehtë për Tiranën, që e fiton thellësisht 12-25 dhe krejt ndeshjen 0-3.
Në këtë mënyrë, Tirana kalon në finale pa probleme, teksa në gjysmëfinale ka hequr nga lufta një skuadër krejtësisht me vajza të reja si Skënderbeu. Sa për vendëset duhen thënë fjalët më të mira në këtë sezon, teksa janë renditur në vendin e tretë.
Skënderbeu – Tirana 0-3 (0-2)
(17-25, 14-25, 12-25)
Skënderbeu: Beshiri, N. Shahu, Nastas, E. Bego, Demiraj, Kole, A. Bego (L), Kapedani (L) / Potomi, Male, Zguri, Nasto. Trajner: M. Shahu
Tirana: Hoxha, Shkurti, Pira, Blloku, Tuci, Nezaj, Sejfullai (L) / Lasku, E. Meta, R. Meta, Shira, Shehi. Trajner: A.Gorenxa
Gjyqtarë: A. Shehu, F. Mujo (Tiranë)