Gjergj Vyshka 05.02.2015 17:25
Është menduar jo vetëm një sfidë e lehtë, por dhe e shpejtë. Mirëpo nuk ka ndodhur kështu, sepse Teuta, me vetëm shtatë lojtare, ka bërë rezistencë e deri në fund ka qenë shumë pranë fitores dhe surprizës. Bardheblutë kanë aktivizuar malazeze Vujadinoviç, e cila ndoshta edhe për shkak të mos aktivizimit nga organizatorja, me vështirësi ka hyrë në lojë. Por gjithsesi sa herë që godiste, aq herë shënonte. Nuk duhet harruar që bardheblutë kanë fituar dje dhe në sajë të Prengës dhe përvojës së saj të madhe, ndërsa nuk ka qenë në ditën e saj më të mirë Thaka.
Në setin e parë, Tirana është në epërsi deri në 15-12. Por Teuta nuk dorëzohet. Kthen rezultatin në 17-19 dhe mandej është fituese e setit të parë në 21-25. Në të dytin Tirana fiton lehtësisht 25-16. I treti edhe me ndërrimin e fushave i jep më shumë kurajë Teutës, që përsëri fiton 22-25. Për të pasur surpriza të pakëndshme bardheblutë jo vetëm që janë gjithnjë në udhëheqje të rezultatit, por e fitojnë setin e katërt 25-22 dhe 2-2. I pesti ka nisur mirë për Tiranën, që në ndërrimin e fushave është në epërsi 8-1. Por Teuta gradualisht afrohet derisa barazon në 13-13.
Ka pasur dhe debate të trajnerëve me gjyqtarët, ndërsa Jazenxhiu është ndëshkuar me karton të verdhë në epërsinë 10-7 për bardheblutë. Pas barazimit Tirana s’bën më aventura, por fiton 15-13 dhe të gjithë ndeshjen 3-2. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes Vujadinoviç e Tiranës me 17 pikë, e ndjekur nga Smajlaj e Teutës me 16 pikë. Në bllok kanë dalë fituese me nga gjashtë mure rezultative Pira e Tiranës dhe Borshi e Teutës. Kurse në shërbim ka dalë fituese Guza e Teutës me pesë të sakta.
Në total Tirana në pesë sete ka shënuar 108 pikë, prej të cilave 70 pikë i ka bërë vetë, kurse 38 pikë kanë ardhur nga gabimet e durrsakeve, që i bie mesatarisht 7.6 pikë për set. Në krahun tjetër Teuta në pesë sete ka shënuar 99 pikë në total, prej të cilave 66 pikë vetë, kurse 33 pikë kanë ardhur nga gabimet e bardhebluve, afërsisht 6.6 pikë për set. Përfundimisht Barleti Volej – Tirana është finalja e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, ndërsa pritet një ndeshje rivalësh.
Tirana – Teuta 3-2
(21-25, 25-16, 22-25, 25-20, 15-13)
Tirana: Matoshi, Vokrri, Pira, Meta (L), Thaka, Prenga, Vujadinoviç / Blloku, Hoxha Trajner: A. Gorenxa
Teuta: Begiçi, Smajlaj, Gashi, Zakova, Guza, Borshi, Llupo (L). Trajner: E. Jazenxhiu
Gjyqtarë: E. Mujo, T. Zguri (Tiranë)
Ndihmës: R. Mujo, E. Kurti (Tiranë)