AlbanianSport.com 20.09.2015 18:45
ASNN – Vetë volejbolli shqiptar është në një kaos total, por e tillë është gjendja edhe në parket, ku skuadrat përpëliten për mbijetesë. Kështu, Flamurtari në volejboll për femra rrezikon pjesëmarrjen në kampionatin e ri 2015-2016. Edhe sezonin e fundit, për shkak të vështirësive financiare, skuadra e trajnerit Theodhori Driza mbijetoi në Grupin A1 duke zënë vendin e 7-të në renditje.
Në pritje të fillimit të kampionatit stafi teknik, trajneri Driza dhe zëvendësi i tij H. Babe kanë marrë të gjitha masat për përgatitjen e grupit të vajzave. “Në këtë pragsezoni po hasim vështirësi që nuk i kishim menduar deri në këto momente, – ka thënë kreu i stolit të labeve të rrjetës. – Sezonin që lamë pas ishte biznesmeni Fatmir Lazaj, i cili na ndihmoi shumë që të kalonim çdo pengesë financiare.”
“Kualiteti i skuadrës është i lartë me volejbolliste të grupmoshave të ndryshme, – ka vijuar ai. – Ekipi ynë përbëhet nga vajza të talentuara si E. Gjermeni, S. Sulko, Xh. Sulko, K. Çaushaj, D. Mehmetaj, M. Isakaj, Xh. Mezini, M. Petriti, I. Tafili, P. Malaj, dhe B. Abedini të moshës nga 13, deri në 23 vjeç. Është një grup me lojtare me përvojë, të cilave, nëse do t’u plotësohen kërkesat financiare, do të rreshtohen në 3 vendet e para të kampionatit.”
“Sidoqoftë, situata nuk është e favorshme, pasi aktualisht ekipi nuk ka burime financiare, – ka theksuar Driza. – I jemi drejtuar Bashkisë për të na ndihmuar me një financim modest, e cila është detyrë nga kjo e fundit, veçanërisht për sportet elitare, siç është volejbolli. Kemi besim dhe respekt për kryetarin e ri Dritan Leli, por edhe për Këshillin Bashkiak, të cilët janë dy institucione që mund t’i japin zgjidhje këtij problemi.”
“Unë kam besim se ky ngërç do të gjejë zgjidhje dhe mendoj se shumë shpejt ekipi do të ketë të gjitha kushtet e nevojshme financiare për t’u renditur mes ekipeve më të mira”, – përfundoi Mjeshtri i Merituar i Sportit, trajnerit i Flamurtarit, Theodhori Driza.