Gjergj Vyshka 02.06.2017 17:05
Kombëtarja e femrave në volejboll është duke u përgatitur intensivisht për fazën e parë të Ligës së Evropës, e cila nga data 9, deri më 11 qershor 2017 do të zhvillohet në Tiranë në sallën sportive “Feti Borova” të Parkut Olimpik. Kjo kombëtare, krahas përgatitjeve në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ka bërë dhe ndeshje miqësore me Malin e Zi dhe Kosovën.
Ndërkohë përballë kombëtares së femrave, e cila drejtohet nga Altin Martiri dhe Roland Tarja, do të jenë Bjellorusia, Finlanda e Austria. Ky është një shans i mirë për të treguar veten dhe pretenduar diçka më shumë këtë sezon. I vetmi problem për kombëtaren e femrave është Sindi Marina, organizatorja e talentuar që luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo ka pësuar një dëmtim që në seancën e parë stërvitore, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe është në seanca fizioterapie, teksa shpresohet që ta kalojë këtë dëmtim dhe të jetë e gatshme për kombëtaren. Sepse është një lojtare e rëndësishme, ndërsa talentin e saj e ka treguar dhe sezonin e kaluar në Ligën e Evropës në Poloni e Durrës. Pjesa tjetër po stërvitet me maksimumin e vet.