Gjergj Vyshka 04.04.2016 11:35
“Ne ishim duke mbyllur protokollin, – thotë gjyqtari Zenurllari për “Sport Ekspres”, dhe vetëm kam kthyer kokën kur kam parë që Agolli ka nisur të debatojë me një lojtare të Partizanit. E vërteta është se, në fund të ndeshjes, nuk i kanë dhënë dorën njëra-tjetrës dhe ndoshta ky ka qenë ndikimi i një përplasjeje mes tyre. Në moment ka ndërhyrë trajneri i Partizanit, Ilir Thanasi, i cili i ka kërkuar lojtares së Tiranës të largohet.”
“Por nuk ka ndodhur kështu, ndërsa ka ardhur një goditje me shqelm për trajnerin e Partizanit dhe më pas edhe goditje me grusht për lojtaren e Partizanit, – ka vijuar ai. Në moment ka ndërhyrë policia, e cila ishte jashtë mjediseve të Sallës Sportive “Fahrie Hotit”, dhe ka ndarë palët, ndërsa mund të acarohej dhe më shumë situata. E për të gjithë këtë situatë ne do të bëjmë dhe relacionin tonë, që do t’ia dorëzojmë Federatës Shqiptare të Volejbollit”.
Përtej kësaj, trajneri i Partizanit, Ilir Thanasi, e ka pranuar që ka ndodhur si ngjarje, ndërsa ka pretenduar qenë Agolli që është afruar tek stoli e të kuqeve dhe ka nisur ofendimin ndaj Livia Xhaferrit, të përfunduar më pas me goditje shpulle. Burimet shpjegojnë që ka pasur edhe një kallëzim penal ndaj lojtares së Tiranës për dhunim të volejbollistes së Partizanit.
Gjë që në fakt nuk ka ndodhur nga Xhaferri, ndërsa të dyja protagonistet e sherrit, sipas burimeve policore, janë shoqëruar në Komisariatin Nr. 3. Atje dhe ku janë pajtuar dhe i kanë shtrënguar dorën njëra-tjetrës. Por ngjarja e djeshme ka qenë e shëmtuar për volejbollin shqiptar, sidomos kur bëhet fjalë për të rejat.