AlbanianSport.com 19/10/2018 18:55
ASNN – Serbia dhe Italia kanë triumfuar të premten në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror të Volejboll për Femra, përkatësisht ndaj Holandës dhe Kinës, duke siguruar vendin në duelin e madh të të shtunës në mesditë. Kështu, do të jetë një “derbi” evropian përballja finale për më të mirën e botës, pasi Serbia dhe Italia kanë triumfuar të premten në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror të Volejboll për Femra, përkatësisht ndaj Holandës dhe Kinës, duke siguruar vendin në duelin e madh të së shtunës në mesditë.
Ky Botëror po zhvillohet në Japoni dhe ndeshjet janë zhvilluar në mëngjes dhe paradite me orën e Evropës Qendrore. Në duelin e parë gjysmëfinal, Serbia ka fituar setin e parë 25-22 përballë holandezeve, por këto të fundit janë kundërpërgjigjur, duke e fituar setin e dytë. Ky set ka qenë i luftuar fort dhe është mbyllur me rezultatin 28-26 në favor të holandezeve. Por serbet do të dominojnë në dy setet e tjera, duke i fituar ato përkatësisht 25-19 dhe 25-23, duke siguruar vendin në finale, aty ku do të përballet me Italinë.
Kjo e fundit triumfoi në një betejë epike me 5 sete ndaj Kinës, ku të dyja skuadrat luftuan pikë për pikë. “Axurret” e rrëmbyen setin e parë 25-18, por kinezet reaguan, duke e fituar të dytin 25-21 dhe duke rikthyer barazinë në setet. Italia vijoi të fitojë setin e tretë me rezultat të thellë, 25-16, duke dhënë idenë e një fitoreje të lehtë në 4 sete. Por Kina nuk është dorëzuar dhe në një set maratonë, ka triumfuar me shifrat 31-29, duke e çuar gjithçka në setin e 5-të dhe të fundit. Edhe ky set ka qenë i luftuar dhe ka patur nevojë për pikët shtesë, por Italia e ka fituar atë 17-15 dhe gjithë ndeshjen 3-2, duke siguruar finalen e madhe.