Gjergj Vyshka 09.01.2017 14:20
Volejbollistja e KSZO Ostroviecit, Sava Thaka mungoi në kombëtaren e femrave në turneun e Luksemburgut, sepse kishin ndeshje në kampionat: “Jam shumë e kënaqur që jam pjesë e këtij ekipi, një eksperiencë që ia vlen”, – ka thënë ajo.
I ka ardhur keq që nuk ka qenë me kombëtaren në turneun e Luksemburgut, sepse më 30 dhjetor 2016 dhe 4 janar 2017, KSZO Ostroviec ka pasur ndeshje të rëndësishme në kampionatin polak të volejbollit të femrave.
Por, megjithatë, ka mbetur e kënaqur për rezultatet që përfaqësuesja arriti atje, ndërsa i ka uruar rritjen e mëtejshme volejbollit shqiptar si në rang kombëtaresh, ashtu dhe klubesh.
Ja dhe intervista e saj për “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com jua sjell në dy pjesë dhe sot është pjesa e parë, ndërsa e dyta, nesër.
– Diçka për eksperiencën që po kaloni në Superligën e Polonisë me Ostroviecin…
– Shumë mirë dhe shumë e bukur si eksperiencë. Ndihem shumë e kënaqur që jam pjesë e kësaj skuadre. Në përgjithësi polakët janë njerëz shumë miqësor, të ngrohtë dhe mikpritës. Por e vetmja gjë që më mundon e më shqetëson më shumë është i ftohti…
– Sa të ka ndihmuar për t’u rritur cilësisht kjo eksperiencë polake?
– Ndihem me fat që këtë vit luaj në Poloni dhe për më tepër në Superligën e këtij kampionati. Për mua është një ndryshim i madh nga volejbolli shqiptar në këtë ligë profesioniste. Sepse edhe niveli i lojtareve është shumë i lart.
– A është konkurrencë e madhe në skuadrën tuaj aq sa për të gjetur me vështirësi vendin e titullares dhe si ka qenë aktivizimi në këtë periudhë?
– Është e vështirë, sepse në pozicionin e qendrës ku unë luaj jemi katër lojtare. Dhe secila prej nesh do që të marrë vendin në formacion për rolin e titullares. Për mua ky është vit i vyer, sepse është eksperiencë e re. Ka pas edhe vështirësitë e veta në ambientim si një eksperiencë e re gjithnjë. Aq më tepër që jam në një shtet të huaj, ku nuk njeh as gjuhën e vendit dhe nuk njeh asnjë. E megjithatë më ka ndihmuar shumë ngrohtësia me të cilën më kanë pritur në ekip, atje ku jemi të gjithë si një familje e madhe.
– Meqë jemi në merkaton dimërore përsëri me këtë ekip, apo do të ketë ndonjë lëvizje të parashikuar?
– Jo asnjë lëvizje do të vazhdoj deri në fund të sezonit me KSZO Ostroviec. Ndoshta sezonin tjetër nuk dihet asgjë, por në këtë aktualin ndihem shumë mirë në këtë ekip.
Vijon nesër…