Gjergj Vyshka 09.01.2017 07:00
Sava Thaka, volejbollistja e kombëtares së Shqipërisë për të rritura, por, në të njëjtën kohë, edhe ish-lojtare e Skënderbeut, Tiranës dhe Barletit Volej në kampionatin kombëtar, ka pranuar të rrëfejë përvojën e saj polake. Që nga fundi i gushtit ajo është bërë pjesë e KSZO Ostroviecit, skuadra që në një kampionat me 14 skuadra renditet në vendin e 11-të.
I ka bërë përshtypje ngrohtësia me të cilën e kanë pritur në ekip, atë të cilën ajo e konsideron si një familje e madhe. I ka bërë përshtypja miqësia që të jep populli polak, por duket se ka probleme me përshtatjen me klimën e ftohtë në Poloni. E megjithatë nuk tërhiqet. Do të vijojë të jetë pjesë e kësaj skuadre të paktën deri në fund të këtij sezoni për të menduar më pas ndonjë lëvizje tjetër me vlerë.
E në mes katër lojtareve të të njëjtit pozicion siç është Thaka, qendër në pozicionin 3, korçarja ia ka dalë të jetë titullare në shumicën e ndeshjeve. I ka ardhur keq që nuk ka qenë me kombëtaren në turneun e Luksemburgut, sepse më 30 dhjetor 2016 dhe 4 janar 2017, KSZO Ostrovieci ka pasur dy ndeshje të rëndësishme në kampionatin polak të volejbollit për femra.
Por megjithatë ka mbetur e kënaqur për rezultatet që përfaqësuesja arriti atje, ndërsa i ka uruar rritjen e mëtejshme volejbollit shqiptar si në rang kombëtaresh, ashtu dhe klubesh.