AlbanianSport.com 07/08/2018 18:30
ASNN – Shqipëria e volejbollit të femrave ka vijuar përgatitjet e saj në prag të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian, teksa është duke punuar me dy seanca në ditë. Për gjendjen aktuale të përfaqësueses kuqezi ka folur për RTSH Sport lojtarja e qendrës, Sava Thaka. “Pasi mbaruam me Ligën e Evropës, bëmë një muaj pushim dhe tanimë grupi i lojtareve është mbledhur sërish dhe kemi rinisur stërvitjen”, – thotë volejbollistja 1 m e 85 cm e lartë.
Kroacia, Austria dhe Zvicra këto do të jenë kundërshtaret e Shqipërisë në grupin e eliminatoreve të Kampionatit Evropian, të cilat nisin më 15 gusht 2018. Dhe Thaka, ashtu sikurse e gjithë pjesa tjetër e grupit, beson tek paraqitja dinjitoze e ekipit. “Austrinë e njohim mirë sepse jemi ndeshur me të disa herë në Ligën e Evropës, ashtu sikundër edhe me Kroacinë u përballëm në Lojërat Mesdhetare, – pohon ajo. – Kurse Zvicrën e kemi parë nëpërmjet videove, por jemi optimiste.”
Mungesa e pesë lojtareve, të tilla si Tuci, Marina, Sejfullai, Amarilda dhe Arjola Prenga kanë krijuar një boshllëk në ekip, që e pranon dhe Thaka, e cila më tej do të pohonte: “Me thënë të drejtën po, sepse mungojnë 5 lojtare të ekipit kombëtar dhe janë 5 lojtare elitare, por do të përpiqemi të bëjmë më të mirën me vajzat e reja që kanë ardhur dhe me grupin që është formuar tani.”
Pas vendit të tretë në Ligën e Evropës në qershor, a do të ishte zhgënjim për të gjithë një rezultat negativ në Eliminatoreve të Evropianit? “Zhgënjim jo, pasi, siç edhe e thamë, është ndërruar pothuajse krejt ekipi kombëtar, por këto që kemi tani janë vajza të reja dhe dalëngadalë, me punë, do të përpiqemi t’ia dalim”, – ka thënë Sava Thaka, volejbollistja që prej disa sezonesh militon në kampionatet e vendeve të ndryshme të Evropës dhe sezonin e shkuar, ishte qendra më e mirë në Sllovaki.