Gjergj Vyshka 05.06.2016 13:55
Presidenti Pëllumbi: “Nëse do të fitojmë sot ndaj Bjellorusisë do të kemi mundësi për t’u kualifikuar, sepse grupin tjetër do ta luajmë në Durrës”. Shqipëria e volejbollit të femrave e ka humbur dhe ndeshjen e dytë në Ligën e Evropës, teksa dje është mundur nga Sllovakia, me të njëjtin rezultat 1-3. Për presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, skuadra vuan sindromën e sportit shqiptar në momentin e fundit të ndeshjes, apo në çastet vendimtare.
“Ne shpresojmë të luajmë mirë sot ndaj Bjellorusisë dhe të fitojmë për të pasur mundësi për t’u kualifikuar për në finale të Ligës së Evropës duke qenë se pjesën e dytë të këtij grupi do ta luajmë në Durrës, – ka deklaruar kreu i organizmit që qeveris volejbollin shqiptar. – Duhet theksuar se kemi shumë dëmtime, të cilat na penalizojnë për të bërë ndërrime në momentin e duhur. Nezaj, që është një nga pikat më të forta të skuadrës, është dëmtuar të premten paradite.”
“Matoshi, Blloku e Xheka nuk janë në formën e tyre maksimale. Asgjë nuk është e sigurt, por vajzat kanë luajtur bukur dhe me dinjitet. Një shfaqje e bukur dhe ndaj Sllovakisë, por pa aktin final që presim të gjithë”, – ka përfunduar Presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, duke folur nga Polonia, atje ku, së bashku me anëtarin e kryesisë Dashamir Brari, si dhe shefin e klubit shumësportësh “Vllaznia”, Mark Krroqi, po ndjekin aventurën evropiane të vajzave kuqezi të rrjetës.