Gjergj Vyshka 06.06.2016 17:05
Shqipëria numëron vetëm setet e fituara, na mund edhe Bjellorusia. Nga 2-0 në epërsi, në 2-3 për kundërshtaret, ndërsa presidenti Pëllumbi tregon eksperiencën e munguar, megjithëse ka premtuar një paraqitje më mbresëlënëse dhe me rezultat në Durrës. Shqipëria e volejbollit të femrave, e cila dje ka përfunduar stacionin e parë të Ligës së Evropës, ka qenë e detyruar që të numërojë vetëm setet e fituara.
Sepse edhe atëherë kur ka pasur ndeshjen në dorë, siç dhe ka ndodhur dje nga Bjellorusisë, ndërsa kryesonte në 2-0, përsëri ka humbur. Për presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, këto janë fenomene të njohura në sportin e rrjetës, ndaj dhe është i bukur. “Unë mund të them se në të tre ndeshjet e luajtura kemi bërë një paraqitje shumë të mirë”, – ka thënë ai.
“Sikur ky grup të kishte pasur grumbullime më të shumta, apo dhe ndeshje miqësore më të shumta, me më shumë eksperiencë mund t’ia kishte dalë, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris rrjetën shqiptare. – Madje mund ta kishim fituar ndeshjen në setin e katërt, ndërsa kemi shkuar deri në barazimin 23-23. Megjithatë e gjithë kjo paraqitje do të analizohet.”
“Dhe kjo periudhë do të jetë përpjekje për të korrigjuar gabimet dhe për të bërë një paraqitje më të pëlqyeshme në Durrës, pasi mundësitë janë”, – ka përfunduar Pëllumbi duke folur nga Tvardogora e Polonisë. Skuadra kthehet sonte në mbrëmje, ndërsa që nga e marta do të nisi përgatitjet për raundin e dytë të Ligës së Evropës, që do të zhvillohet në Durrës, më 17-19 qershor.