Gjergj Vyshka 03.06.2016 15:20
Presidenti Pëllumbi: “Mungesë përvoje për të menaxhuar çastet finale, sepse duhet ta kishim fituar këtë takim. Por jemi të kënaqur.” Polonia në volejboll për femra e ka mundur Shqipërinë në pikët shtesë në një ndeshje, e cila ka nisur mirë për vajzat kuqezi, ndërsa në setin e tretë dhe të katërt, edhe duke qenë gjatë gjithë kohës në avantazh, përfundimi duhet të ishte ndryshe.
Mirëpo, edhe sipas Presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, skuadrës i ka munguar përvoja në çastet finale të seteve për të menaxhuar situatat. “Për mua, – thotë Pëllumbi që nga Tvardogora, – ka qenë një ndeshje fantastike dhe me shumë emocione. Mirë do të ishte ta kishim fituar këtë ndeshje, sepse me përjashtim të setit të dytë në të gjitha të tjerat kemi qenë shumë pranë suksesit.”
“Gjithnjë skuadra jonë ishte në epërsi, por i ka munguar eksperienca për të menaxhuar situatat finale, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris volejbollin shqiptar. – Një ndeshje për t’u admiruar, ndërsa qëllimi i kësaj pjesëmarrjeje ka qenë për një paraqitje dinjitoze. Dhe mendoj se me ndeshje e parë të luajtura pas tre vjetësh mungesë do të jemi të kënaqur me këtë objektiv.”