Gjergj Vyshka 20.06.2016 16:25
Është lodhur për më shumë se sa një muaj për të bërë gjithçka gati për Ligën e Evropës në Durrës, çka ishte dhe një provë pozitive se Shqipëria e volejbollit është në gjendje të organizojë veprimtari ndërkombëtare. “Së pari, – thotë Pëllumbi për “Sport Ekspres”, – më duhet të falënderoj Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, në mënyrë të veçantë Presidentin Viron Bezhani dhe Sekretarin e Përgjithshëm Stavri Bello.”
“Jo vetëm kaq, por Bashkinë e Durrësit dhe kryetarin e saj Vangjush Dakon, – ka vijuar ai. – Ministrinë e Arsimit dhe Sportit e Drejtorinë e Sportit që na janë gjendur pranë. Por mbi të gjitha të ish-volejbollistët që na kanë qëndruar pranë, sidomos profesor Vangjel Kojën”. Duke vijuar më tej, kreu i organizmit që qeveris volejbollin shqiptar vlerëson se ka qenë një ndeshje heroike e vajzave.
“Ne kemi luajtur përballë më të fortëve të Evropës, më të mëdhave dhe në kushte të barabarta, – ka thënë Pëllumbi. – Që do të thotë se jemi duke hedhur bazat për një rilindje të këtij sporti. Edhe djemtë pavarësisht se nuk arritën rezultate, duhet të analizojnë situatën për të nxjerrë të metat, sepse vetëm kështu mund të ecim me të dy ekipet paralelisht.”
“Unë kam thënë që po hedhim bazat për një volejboll kombëtar të fortë dhe jemi duke e bërë. Volejbolli nuk pushon, sepse tanimë do të përqendrohemi tek volejbolli në plazh. Dhe një herë faleminderit të gjithëve që na mbështeten”, – përfundoi presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.