Gjergj Vyshka 03.10.2017 08:00
Në prag të sezonit të ri të kampionatit, që nis më 7 tetor, Partizani në volejboll për femra, që drejtohet nga trajneri Roland Tarja dhe ndihmësi Ilir Thanasi, ka bërë në fundjavë 3 ndeshje miqësore. Të parën e ka luajtur të premten në palestrën e të kuqeve, ndaj skuadrës nga Kosovar, Skënderajt, të cilën e ka fituar 3-1. Kurse të shtunën e të dielën ka udhëtuar për një turne në Podgoricë.
Atje ku është ndeshur me malazezet e Moracës dhe të Galebit. E, të dyja këto ndeshje, Partizani i ka fituar përkatësisht 3-0 dhe 3-1. Nuk duhet harruar që Partizani ka bërë përforcime në merkaton e verës, teksa pjesë e të kuqeve është bërë Xheka dhe Fagu, që kanë ardhur nga kampionet e Barletit Volej, si dhe Nezaj. Përtej largimit të Pirrës dhe Shehut, pjesa tjetër e skuadrës së Tares është po ajo e sezonit të kaluar.
E kjo duke nisur që nga kapitenia Esmeralda Tuci për të vazhduar me radhë tek Matraku, Blloku, Meçorapoj, Fetaj, Xhaferraj, Agolli etj. Në fakt Partizani nuk është se e ka nisur mirë sezonin, sepse pati fituar në gjysmëfinale ndaj Teutës në Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit, 3-0, por qe befasuar në finale ndaj Tiranës, teksa bardheblutë e Adrian Gorenxës fituan 3-1.
Pikërisht ndaj Tiranës do ta nisë kampionatin më 7 tetor 2017, ndeshje që do të zhvillohet në ora 17:00, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.