AlbanianSport.com 01/03/2024 21:05
ASNN – Gjysmëfinalet e Ligës “Gjergj Kastrioti”, Drita eliminon Tiranën, në finale ndaj Skënderbeut. Kështu, Skënderbeu dhe Drita janë dy skuadrat finaliste të Ligës Gjergj Kastrioti në volejboll për femra, turneu mbarëkombëtar mes skuadrave më të mira nga Shqipëria e Kosova.
Në Korçë u luajtën sot dy sfidat gjysmëfinale, që përcaktuan ekipin vendës dhe atë nga Kosova si më të mirat. Drita preu e para një biletë për në finale, pas fitores 3-2 ndaj Tiranës, në një ndeshje që zgjati dy orë (10-25, 25-23, 19-25, 25-12, 15-13). Dy herë vajzat bardheblutë kaluan në epërsi.
Por po dy herë ato u arritën nga rivalet gjilanase, të cilat triumfuan më pas edhe në setin e pestë, duke kaluar në finalen e së dielës. Më e lehtë fitorja e Skënderbeut, që para publikut të tij nuk zhgënjeu. Korcaret fituan 3-0 (25-16, 25-15, 25-12) ndaj Partizanit, duke përsëritur rezultatin e pak ditëve më parë në Kupën e Shqipërisë.
Ndeshje e dominuar nga lojtaret vendase, që e dominuan sfidën ndaj mikeshave nga kryeqyteti. Të shtunën luhen po në Korçë dy gjysmëfinalet e meshkujve, teksa Tirana përballet me Ferizajn në takimin që nis në ora 15:00, ndërsa, duke nisur nga ora 18:00, Partizani përballet me Pejën.
Liga “Gjergj Kastrioti”
Volejboll – Femra
Gjysmëfinalet
1 mars 2024:
Skënderbeu – Partizani 3-0
Tirana – Drita e Gjilanit 2-3
Finalja
3 mars 2024:
Skënderbeu – Drita (18:00)
Liga “Gjergj Kastrioti”
Volejboll – Meshkuj
Gjysmëfinalet
2 mars 2024:
Tirana – Ferizaj (15:00)
Partizani – Peja (18:00)
Finalja
3 mars 2024 (18:00)