Gjergj Vyshka 07.01.2017 10:40
Lojtarja e ardhur nga kosovaret e Dritës së Gjilanit ka mbërritur tek të kuqtë. Trajneri Tarja: “Do të thotë që kemi probleme në organizim, nëse vlen, atëherë do të bëjmë lëvizje në skuadër në funksion të saj”. Një braziliane ka mbërritur tek Partizani në volejboll për femra. Bëhet fjalë për Melisa Ortega Romano, 22 vjeç, 1.77 metra e gjatë, e cila luan në rolin e organizatores, ndërsa deri në dhjetor ka qenë pjesë e Dritës së Gjilanit.
Madje në këtë skuadër, të paktën edhe sipas lëvizjeve dimërore të sezonit të kaluar në volejbollin kosovar, ka mbërritur nga Skënderaj i Kosovës. Është një lojtare që trajneri i femrave të kuqe, Roland Tarja, e ka pikasur në ndeshjen e Dritës së Gjilanit në Kupën CEV. Tarja shpjegon se lojtarja është në provë dhe nga fillimi i javës së ardhshme e në vazhdim do të vendoset nëse do të jetë pjesë e Partizanit, apo jo. “Është e vërtetë – pohon trajneri i të kuqeve duke folur për “Sport Ekspres, – që e kemi marrë për provë këtë lojtare.”
“Dhe nga e hëna e fillimit të javës së ardhshme e më prapa do të vendosim nëse do të qëndrojë me ne, apo jo, – ka vijuar ai. – Ajo është aktivizuar me Dritën e Gjilanit në fazën e parë në Kosovë. Sigurisht që nuk kam pasur nevojë të ma sugjerojnë, sepse së bashku me ndihmëstrajnerin e skuadrës, Ilir Thanasi, e kemi parë në ndeshjet e Dritës së Gjilanit në Kupën CEV. Më parë ka qenë pjesë e Skënderajt. Por ende nuk e kemi provuar, veçse shpresoj që të ketë nivelin e duhur për t’iu përshtatur skuadrës.”
“Në rast se është mirë dhe plotëson të gjitha parametrat që ne kërkojmë, atëherë mund të ndryshojmë ndonjë vendosje të lojtareve për të ndryshuar cilësinë e lojës në funksion të saj. Ardhja e një organizatoreje tregon se diçka nuk ka shkuar mirë në këtë rol. Është një rol i rëndësishëm për të synuar më lart”, – përfundon trajneri i Partizanit të volejbollit të femrave, Roland Tarja.