AlbanianSport.com 04/03/2021 18:35
ASNN – Mund Vllazninë 3-0 në takimin që erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport, në grupin A kreu ndahet. Me takimin midis Barleti Volejit dhe Vllaznisë, që u luajt të enjten në mbrëmje në kryeqytet dhe u fitua nga skuadra vendase në 3 sete, është mbyllur Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Femra. Përballja e luajtur në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës dhe e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport, kanë qenë e vlefshme për grupin A, aty ku të dyja skuadrat vinin pas 3 fitoreve në po aq javë të para të këtij sezoni.
Seti i parë ka qenë i luftuar nga të dy ekipet, por universitaret kanë bërë dallimin në fund, duke e marrë atë 25-23. Ndërkohë, ka qenë një tablo krejt tjetër seti i dytë, i cili është mbizotëruar plotësisht nga Barleti Volej i trajnerit Artan Pogoni, që e fiton atë 25-12, duke e thelluar kështu kryesimin në 2-0 me sete. Vllaznia e trajneres Nora Deda do të zgjohet në setin e 3-të, duke kryesuar fillimisht në 6-2 dhe më pas në 9-5. Por skuadra kryeqytetase reagon dhe 10-pikëshi i dytë i setit është i luftuar, me rezultatin që barazohet shpesh.
Por, pas barazimit 19-19, nuk ka më histori, pasi skuadra e Barleti Volejit nuk lëshon më, duke e marrë setin 25-21 dhe gjithë ndeshjen 3-0 me sete, duke u shkëputur kështu e vetme në krye të renditjes, me 12 pikë, 3 më tepër se Vllaznia dhe Apolonia. Kjo e fundit ka mundur Mirditën në Rrëshen në 3 sete, ashtu sikundër ka bërë edhe Flamurtari në Vlorë me Elbasanin. Ndërkaq, në grupi A, kreu është ndarë midis Tiranës, Partizanit dhe Skënderbeut, që kanë nga 10 pikë secila pas 4 javëve të para të këtij sezoni.