Gjergj Vyshka 06.06.2016 12:05
Shqipëria e volejbollit të femrave, e cila dje ka përfunduar stacionin e parë të Ligës së Evropës, ka qenë e detyruar që të numërojë vetëm setet e fituara. Sepse edhe atëherë kur ka pasur ndeshjen në dorë, siç dhe ka ndodhur dje nga Bjellorusisë, ndërsa kryesonte në 2-0, përsëri ka humbur. Seti i parë është i jashtëzakonshëm për skuadrën kuqezi, e cila ka kryesuar vazhdimisht 8-1, 16-11, 21-16 dhe e ka mbyllur 25-17.
Ka një shkundje nga Bjellorusia në setin e dytë, e cila në pushimin e parë teknik është në epërsi 5-8. Por kthejnë vajzat kuqezi dhe në pushimin e dytë teknik janë në epërsi, 16-15. Mandej 21-18 dhe në fund 25-22. Duket sikur po shkohet drejt një fitore të pastër 3-0, por nuk ndodh kështu. Me një set të tretë krejtësisht të dobët, Bjellorusia, që ka fituar 25-11, merr zemër për të përmbysur.
Edhe seti i katërt është për Bjellorusinë, që kryeson vazhdimin 6-8, 14-16, 21-22. Ka një barazim momental 23-23 e sërish fiton Bjellorusia, 25-23. I pesti nis i ekuilibruar deri në 4-5. 4-10 për Bjellorusinë, 7-12 dhe në fund 10-15 dhe 2-3 për Bjellorusinë, që fiton me përmbysje. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes është Bici e Shqipërisë, me 19 pikë, e ndjekur nga Arjola Prenga me 15 pikë.
Ndërsa Hrishkeviç, me 14 pikë, e Silantsjeva, me 13 pikë, janë më të mirat e Bjellorusisë. Në bllok ka dalë fituese Amarilda Prenga (Sijoni) me 5 mure fituese, Thaka me 4 mure fituese, si dhe Harelik e Silantsjeve me 3 mure fituese. Në shërbim me nga 3 rezultative janë Marina e Malasai, si dhe me dy Silanstejva dhe Kuçko. Në pesë sete në total Shqipëria ka realizuar 94 pikë.
Nga këto, 63 pikë i ka realizuar vetë, kurse 31 pikë kanë ardhur nga gabimet e Bjellorusisë. Ndërkohë Bjellorusia në pesë sete ka shënuar 104 pikë prej të cilave 72 pikë vetë, kurse 32 pikë kanë ardhur nga gabimet e kombëtares kuqezi, që dje është mundur me përmbysje.
Shqipëri – Bjellorusi 2-3
(25-17, 25-22, 11-25, 23-25, 10-15)
Shqipëria: Marina, Ar. Prenga, Thaka, Bici, Am. Prenga (Sijoni), Tuci, Sejfullai (L) / Matoshi, Xheka, Fagu (L). Trajner: A. Martiro
Bjellorusia: Klimoviç, Kapko, Malasai, Jonava, Harelik, Silantsjeva, Pauliukouskaja (L) / Kuçko, Serik, Hriçkeviç, Bariseviç, Fedariçik. Trajner: A. Klimoviç
Gjyqtarë: Xh. Bartolini (Itali), T. Kuc (Belgjikë)