AlbanianSport.com 06.06.2016 07:05
Pavarsisht se është mundur në 3 takimet e para të vlefshme për Ligën e Evropës, Shqipëria e volejbollit të femrave ka bërë një paraqitje mjaft të mirë në rikthimin e saj në arenën ndërkombëtare.
E drejtuar nga trajnerët Altin Martiro dhe Roland Tarja dhe duke ndërthurur disa nga lojtaret më të spikatura shqiptare që luajnë jashtë, me më të mirat e volejbollit vendas, Shqipëria premton një tjetër paraqitje pas dy javësh, kur të luhen në Durrës ndeshjet e kthimit.
Kombëtarja shqiptare e volejbollit të femrave është rikthyer pas disa vitesh mungesë në arenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në fazën e parë të Ligës së Evropës, ku përballë ka patur në grupin A Poloninë, Sllovakinë dhe Bjellorusinë.
Pavarsisht se i ka humbur të 3 ndeshjet, kryesisht për mungesë përvoje dhe përqendrimi në çastet vendimtare, Kombëtarja kuqezi, e drejtuar nga trajnerët Altin Martiro dhe Roland Tarja, ka arritur të zbresë në parket një skuadër që ka ndërthurur disa nga volejbollistet më të spikatura shqiptare që luajnë jashtë, të tilla ai motrat Prenga, Amarilda dhe Arjola, Matoshi apo Sindi Marina, me më të mirat e volejbollit vendas, të tilla si Erblina Bici, Esmeralda Tuci, Ergysa Blloku, Klonarda Nezaj, Sava Thaka, Xhozi Sejfullai e të tjera.
Vetëm fati dhe episodet i kanë mohuar fitoren në takimin e parë të vlefshëm për grupin e saj në Ligën e Evropës, pasi është mundur 1-3 nga Polonia. E njëjta tabllo ka qenë edhe në ndeshjen e dytë, ku vajzat kuqezi janë mundur me të njëjtat shifra edhe nga Sllovakia, që ishte skuadra më e fortë e grupit.
Ndërkohë, në takimin e tretë, atë ndaj Bjellorusisë, Shqipëria i ka fituar 2 setet e para, por nënvlerësimi dhe mungesa e përqendrimit kanë bërë kanë bërë që edhe kjo ndeshje të humbet me shifrat 2-3. Ndeshjet e kthimit do të luhen në Durrës pas dy javësh.