AlbanianSport.com 28/10/2021 20:55
ASNN – Volejbollistja e re Kejda Kodra ka firmosur me skuadrën italiane të Pallavollo Sicilia Catania. Një gjë të tillë e kanë bërë të ditur mediat italiane të zonës së Katanias, ndërsa e ka konfirmuar edhe vetë Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV), në një postim në profilet e saj në rrjetet sociale.
Kështu, mësohet se sportistja 15-vjeçare, e cila është produkt i përzgjedhjeve dhe punës me moshat, ka zgjedhur, edhe me ndihmën e trajnerit të Kombëtares kuqezi të vajzav të rrjetës, Luka Seki, që të vijojë karrierën e saj në nivelin e dytë të Kampionatit Italian të Volejbollit për Femra, në Serinë A2.
“Natyrisht, një meritë të veçantë ka edhe trajneri i mirënjohur, Theodhori Driza, i cili vijon punën e tij të mirë për evidentimin e elementëve të rinj të volejbollit”, – ka theksuar Federata Shqiptare e Volejbollit, e cila i ka uruar sportistes së re suksese në këtë fazë të re të karrierës së saj.