AlbanianSport.com 14/03/2024 13:35
ASNN – Shefja e Klubit Shumësportësh të Tiranës, Deborah Keçi, ka reaguar lidhur me zhvillimet më të fundit në shtëpinë bardheblu. Në një prononcim të shkurtër për mediat, ajo ka folur për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Hasan Gurabardhi, ndërsa zbulon se Tirana do të drejtohet në vijim nga një trajner i huaj. “Klubi mori vendimin për të shkarkuar trajnerin Hasan Gurabardhi për shkak të mungesës së disiplinës në stërvitje, një veprim ky i përsëritur”, – ka deklaruar ajo fillimisht.
“Tirana është e përqendruar në Kupën e Shqipërisë, pasi të dielën kemi finalen, – ka vijuar Keçi. – Gjithashtu, objektivi kryesor i klubit mbetet kampionati, fitimi i titullit “kampion”. Skuadra është në formë optimale, kjo si rrjedhojë e një merkatoje shumë të mirë, me afrimin e 4 lojtareve të huaja, të bashkangjitura një grupi me lojtaret më të mira shqiptare në kampionat, siç është edhe kapitenia Enkeleda Braho.”
“Tirana do të prezantojë të enjten trajnerin e ri së skuadrës së volejbollit të femrave, i cili do të jetë i huaj, – ka vijuar më tej drejtuesja e klubit bardheblu. – Bëhet fjalë për një trajner me shumë përvojë, që e njeh mjaft mirë edhe kampionatin shqiptar. Pra fokusi i klubit në këto momente është tërësisht për finalen e Kupës së Shqipërisë dhe më pas te kampionati.”