Gjergj Vyshka 27.12.2014 08:50
Barleti Volej, kryesuesja absolute e kampionatit, në tratativa për të afruar të huaja. Përtej ekipit kombëtar të femrave, duke u ndalur tek skuadra e tij, Barleti Volej, i pari i pankinës, Hasan Gurabardhi, e konsideron brenda objektivave gjithçka, ndërsa ekipi, pasi ka fituar Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe atë të 70-vjetorit të Çlirimit, apo dhe duke llogaritur ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, i ka të gjitha fitore në kampionat.
Mirëpo ai sheh diferenca mes titullareve të formacionit dhe stolit të rezervave, ndaj dhe kanë menduar marrjen e një lojtareje të huaj. Për të gjitha që kanë ndodhur në këtë periudhë, jo vetëm për kombëtaren e femrave, por dhe Barletin Volej, Hasan Gurabardhi ka dhënë këtë intervistë për “Gazeta e Sportit”, pjesën e parë të së cilës AlbanianSport.com jua solli dje, ndërsa të dytë sot.
… vijon nga dje
– Le të kthehemi tek skuadra Barleti Volej, si mund të konsiderohet pjesa e parë e sezonit?
– Jemi brenda objektivave, sepse i kemi fituar bindshëm të gjitha ndeshjet, jo vetëm në Kupën e Federatës Shqiptare të Volejbollit, por dhe në atë të Kupës së 70-vjetorit të Çlirimit të vendit. Udhëheqim kampionatin pa asnjë humbje, ndërsa edhe në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë i kemi fituar të gjitha ndeshjet 3-0. Që do të thotë se jemi deri më tani skuadra absolute.
– A ka nevojë kjo skuadër për përforcime, apo do të mjaftohet me lojtaret që ka në dispozicion?
– Me përbërjen aktuale që ne kemi duhet të pranojmë që kemi diferenca mes lojtareve titullare dhe atyre që janë në stolin e rezervave. Me presidentin e Barleti Volejit, Besnik Duda, kemi folur dhe jemi në tratativa me një lojtare të huaj. Nuk duhet të harrojmë që edhe kundërshtaret tona po tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë, ndaj dhe po kërkojmë që edhe ta kemi një volejbolliste të huaj në gjirin e skuadrës sonë.
– Kë shihni rivalen më të fortë për të marrë titullin “kampion”?
– Janë rivalet e përhershme duke nisur që nga Tirana e duke vazhduar më pas Partizanin dhe Teutën.
– Së fundi, çfarë do të donit për të pasur një skuadër në perfeksion të plotë?
– Perfeksioni dhe e mira nuk ka fund. Por që të ishte e tillë skuadra duhen kushte stërvitore më të mira, mobilizim moralo-psikologjik për të arritur objektivin që ne kemi titullin kampion dhe për të rritur nivelin e volejbollit shqiptar. Unë mendoj se jemi brenda rrugës dhe objektivave tona.