Trajneri i sapoardhur ekipit të volejbollit të femrave të Vllaznisë, Nebojsha Grabrz është një emër shumë i njohur në Mal të Zi, Serbi dhe Hungari, teksa ka luajtur volejboll me ekipe të njohura. “Faleminderit për mikpritjen që m’u bë në Shkodër dhe për këtë falënderoj shefin e klubit Vllaznia, Mark Krroqi, dhe kordinatorin Ardian Zaganjori”, – tha trajneri malazez.
“Është hera e parë që unë provoi këtë përvojë shqiptare dhe t’ju them të drejtën e kam marrë me shumë dëshirë, – ka vijuar ai. – Pasi edhe disa prej miqve të mi luajnë këtë në Shqipëri. Në lidhje me skuadrën mund të them se kam gjetur një skuadër ambicioze për të bërë më të mirën në fushën e stërvitje. E rëndësishme shumë është se kanë dëshirë për të mësuar gjëra të reja në këtë lojë dhe kjo do të japë rezultatin e duhur.”
“Jam njohur se në Shkodër volejbolli i femrave ka qenë cilësor në periudhën e viteve të mëparshme, – ka theksuar Grabrzi. – Ndaj edhe kjo më motivon më shumë të punoj me skuadrën që të bëjmë të njëjtën gjë edhe me këtë grup vajzash të reja dhe me shumë të ardhme”. Në lidhje me kohëzgjatjen e punës së tij pranë Vllaznisë, Nebojsha Grabrz, theksoi se në planin dhe projektet e tij është për të qëndruar deri në fund të sezonit.
Por ai shton se për këtë do të shikojë edhe atë se si do të shkojnë punët me skuadrën. Bashkëpunimi me Nebojsha Grabrzin, më herët edhe një ish-volejbollist me emer në kampionatin malazez dhe atë serb, nuk është i pari në raportet me shtetin fqinjë të Malit të Zi. Sezonin e kaluar në krye të skuadrës së basketbollit meshkuj u vu Darko Vujaçiç, kontributi i të cilit përkrah teknikut Bledar Gjeçaj i dha Vllaznisë titullin “kampion”.