Gjergj Vyshka 26.04.2016 10:25
Tirana ka vendosur që të lërë në stol Pirrën dhe të fusë Laskun (Kadriun), një qendër shumë cilësore, e cila së bashku me Nezajn e ka bërë të vështirë lojën e Barletit Volejit. Paloka (Shkurti) dhe Esmeralda Tuci janë të papërmbajtshme, ndaj shkëputja ka ardhur që në fillim 6-2, 8-2, 12-4, 16-8 dhe në fund 25-14. Ky ritëm është i tillë edhe në setin e dytë me Tiranën gjithnjë entuziaste dhe të papërmbajtshme; 8-5, 13-9, 16-14, 19-16, 22-18 dhe 25-21.
E në fillimin e setit të tretë është dëmtuar Thaka, e cila e ka lënë lojën. E këtu duket se merr tjetër rrjedhë loja e kampioneve, sepse Gurabardhit i del për mbarë aktivizimi i Haskut. Pa thënë që ka nisur shpërthimi i Bicit, Brahos dhe Xhixhës. Pavarësisht se në pushimin e parë teknik të setit të tretë Tirana është në epërsi 8-7, Barleti Volej përmbys 11-14, 12-16, 13-17, 15-18, 20-21 dhe në fund 21-25. Kaq ka mjaftuar, Barleti Volej është liruar tashmë dhe në setin e katërt kryeson vazhdimisht.
Fillimisht 6-8, 13-16, 13-17, 13-20 dhe në fund 16-25. Seti final nis me disavantazhin e Tiranës 4-6, barazim 6-6 dhe në 8-6 për bardheblutë janë ndërruar fushat. 12-13, 13-14 me shërbim nga Hasku dhe një goditje e bardhebluve jashtë ka dhënë pikën e pesëmbëdhjetë për kampionet. 3-2 në një ndeshje shumë emocionuese, ndër më të bukurat e sezonit të volejbollit të femrave, që e tillë është vlerësuar dhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi.
Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes Erblina Bici e Barleti Volejit me 20 pikë e ndjekur nga Kleda Paloka (Shkurti) e Tiranës me 19 pikë dhe Esmeralda Tuci e Tiranës me 18 pikë. Në bllok ka dalë fituese Klonarda Nezaj e Tiranës me 3 mure fituese, si dhe Genta Lasku (Kadriu) e Tiranës dhe Erblina Bici e Barleti Volejit, me dy të tilla. Në shërbim Esmeralda Tuci e Tiranës dhe Erblina Bici e Barleti Volejit me 4 të tilla, si dhe Hasku e Barleti Volejit me 3 rezultative. Përgjithësisht një sfidë më shumë se sa interesante.
Tirana – Barleti Volej 2-3 (0-2)
(25-14, 25-21, 21-25, 16-25, 13-15)
Tirana: Paloka (Shkurti), Sejfullai (L), Lasku (Kadriu), Blloku, Nezaj, E. Tuci, Hoxha / Pirra, E. Meta, R. Meta. Trajner: A. Gorenxa
Barleti Volej: Xheka, Fagu (L), M. Tuci, Bici, Braho, Thaka, Xhixha / Hasku, Xhelilaj, Picaku. Trajner: H. Gurabardhi
Gjyqtarë: A. Shehu, R. Mujo (Tiranë)
Ndihmës: Ç. Kojku, L. Nurçe (Tiranë), T. Kacadeji, G. Zuna (Durrës)