AlbanianSport.com 12/04/2019 13:00
ASNN – Erblira Bici po shkruan historinë, më 18 maj luan në superfinalen e Ligës së Kampioneve. Një nga volejbollistet më të mira të Shqipërisë, Erblira Bici, do të ketë një shans të madh për t’u shpallur “kampione” e Evropës, sepse skuadra e saj Igor Novara Volej, është kualifikuar në finale e madhe pasi mundi në gjysmëfinale skuadrën e njohur turke të VakifBankës së Stambollit. Në finalen e madhe të Ligës së Kampioneve do të ketë përballë një tjetër skuadër italiane, Imoko Volej Koneljano.
Më herët asnjë prej këtyre skuadrave nuk e ka fituar këtë trofe të rëndësishëm, prandaj finalja është për ta një arritje historike, ndërkohë që për volejbollin shqiptar merr rëndësi, pasi Erblira Bici, një lojtare e skuadrës kombëtare të Shqipërisë, do të jetë në këtë finale të madhe dhe ka shansin të fitojë trofeun më prestigjioz të volejbollit kontinental dhe një prej veprimtarive më të rëndësishme e më cilësore të volejbollit botëror.
Bici po shkruan historinë me Igor Novara Vollej dhe para pak muajsh ajo fitoi edhe Kupën e Italisë, duke regjistruar suksesin e radhës. Kapërcimi i saj në elitën e vpoeljbollit italian ishte dëshmi e një talenti të pamohueshëm dhe një pune të shkëlqyer që ka bërë volejbollistja shqiptare, e cila nisi karrierën në Shqipëri me Tiranën dhe Barleti Voeljin, për të kapërcyer detin dhe për të shkruar një faqe historie suksesi në volejbollin italian, me skuadrat që kanë në brendësi të tyre yjet e këtij sporti në nivel botëror.
Është, pra, meritë e Erblira Bicit kjo arritje e madhe, ku në një finale kaq prestigjioze të volejbollit në Evropë do të ketë edhe pak Shqipëri. Era po fikson kështu madhështinë e karrierës së saj sportive, si talent i rrallë i volejbollit. Sportdashësit shqiptarë duhet të ndihen krenar për këtë “xhevahir” të volejbollit kombëtar. Suksese Erblira Bicit në finale e madhe të 18 majit në Ligën e Kampioneve në volejboll!