Gjergj Vyshka 05.12.2014 07:05
Janë luajtur ndeshjet e dyta të grupit B të eliminatoreve të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra dhe, të paktën takimi Elbasani-Skënderbeu, fituar me meritë nga korçaret, nuk ka prodhuar asgjë të bukur. Përveç faktit që trajneri i korçareve, Romeo Xega, nuk është lënë në pankinë në mbështetje të rregullores që ka Federata Shqiptare e Volejbollit për teknikët me licencë të kategorisë së parë, e gjithë pjesa tjetër ka qenë një monolog i korçareve, që vetë kanë shënuar e vetë kanë gabuar.
Elbasani duket sikur kishte ardhur me zor në këtë Kupë Shqipërie, ndërsa ajo që bëri çudi ka qenë reagimi flegmatik i trajneres Garunja. Në disa momente, kuptohet për disa problemet e saj personale, është parë në pankinë të flasë në telefon, kurse nga gjashtë pushime në tre sete, lënë mënjanë pushimet teknike, ka shfrytëzuar vetëm tre. Me përjashtim të setit të tretë, që korçaret e kanë fituar në pikët shtesë, në dy të tjerat Skënderbeu ka triumfuar me lehtësi dhe në përfundim 3-0.
Në këtë ndeshje pikëshënuesja më e mirë ka qenë Bego e Skënderbeut me 15 pikë e ndjekur nga Kole me 10 pikë, si dhe Faqolli e Elbasanit me 9 pikë. Në bllok me nga një mur të saktë ka dalë fituese Shadini për Elbasanin dhe E.Bego, Grabocka, Nasto, Male me nga një të saktë. Në shërbim ka dalë fituese Grabocka e Skënderbeut me 3 të sakta, ndjekur nga Nasto me dy të tilla. Elbasani në tre sete ka shënuar 57 pikë, prej të cilave 30 vetë, kurse 27 kanë ardhur nga gabimet e korçareve.
Ndërkaq Skënderbeu ka realizuar 76 pikë, prej të cilave 56 vetë, kurse 20 kanë ardhur nga gabime e verdheblu.
Elbasani – Skënderbeu 0-3
(19-25, 14-25, 24-26)
Elbasani: Kokuja, Zhorda, Garunja, Faqolli, Shadini, Kamolli, Gjeli (L)/Salla, Gjini, Poroçani Trajnere: R.Garunja
Skënderbeu: E.Bego, Kole, Grabocka, Nasto, Potomi, Demiraj, A.Bego (L)/Male, Dhimitri
Gjyqtarë: E.Kurti, E.Dusha (Tiranë)