Gjergj Vyshka 30.10.2016 15:05
Derbi i vajzave në volejboll është për Partizanin e Roland Tares. Ky ka qenë verdikti i ndeshjes që është luajtur mbrëmë në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, që e ka mbushur plot me tifozë atë. Madje nën shoqërinë e trajnerit të Partizanit në volejboll për meshkuj, ka qenë edhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi.
Pa harruar këtu që prania e Presidentit të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Albens Vokopola, të cilët kanë qenë të pranishëm dhe në ndeshjen Barleti Volej-Teuta 3-2, tregon vlerësimin maksimal të këtij takimi.
Aq sa ka qenë i pranishëm dhe trajneri i kombëtares së volejbollit të femrave Altin Martiro. Tirana e ka nisur mirë setin e parë teksa ka kryesuar 2-4, 4-8. Por pas kësaj situate, Partizani ka kthyer në 16-15, 18-16, 21-21, 23-22 dhe në fund 25-22. I dyti ka Tiranën gjatë gjithë kohës në epërsi 4-6, 6-8, 15-16, 20-22, 21-25.
Po me epërsinë e Tiranës nis dhe seti i tretë në 2-5. Reagon Partizani që ka përmbysur në 8-7, 9-7, 16-14, 19-16, 23-20 dhe përfundimi i setit të tretë shënon shifrat 25-20 për të kuqet. I katërti shfaq një Tiranë të dorëzuar, ndërsa Partizani gjen terren dhe fiton 25-18 e krejt ndeshjen 3-1.
Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes ishte Esmeralda Tuci e Partizanit dhe Klejda Shkurti e Tiranës, me nga 18 pikë secila, të ndjekura nga Iva Xhixha e Tiranës, me 15 pikë. Në bllok ka dalë fituese Iva Xhixha e Tiranës, me 3 mure të suksesshme, e ndjekur nga Kejsi Matraku e Partizanit me 2 të tillë. Në shërbim, me nga 4 rezultativë, ishin Pirra e Partizanit dhe Shkurti e Tiranës.
Në total, në 4 sete, Partizani ka realizuar 96 pikë, prej të cilave 66 pikë vetë, kurse 30 pikë kanë ardhur nga gabimet e bardhebluve. Në krahun tjetër, në 4 sete, Tirana ka realizuar 85 pikë, prej të cilave 69 pikë vetë, kurse 16 pikë kanë ardhur nga gabimet e Partizanit, që ka bërë një ndeshje perfekte.
Partizani-Tirana 3-1
(25-22, 21-25, 25-20, 25-18)
Partizani: E. Tuci, Pirra, Blloku, Gongo, Shehu (L), Kole, Reka / Matraku, Sulko, Meçorapoj. Trajner: R. Tarja
Tirana: Paloka (Shkurti), Agolli, Gjokuta (Sallaku), Kushi, Kokonozi (Hoxha), Sejfullai (L) / E. Meta, Shira, Hoxha, Fusha. Trajner: A. Gorenxa
Gjyqtarë: I. Fështi, Ç. Kojku (Tiranë)
Ndihmës: L. Bejko, A. Fortuzi (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 5-të
(29 tetor 2016)
Të shtunën:
Lushnja – Skënderbeu 3-2
Elbasani – Vllaznia 0-3
Barleti Volej – Teuta 3-2
Partizani – Tirana 3-1
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Barleti Volej 5 5 0 15-2 14
- Teuta 5 4 1 14-5 12
- Vllaznia 5 4 1 12-8 10
- Partizani 5 3 2 11-8 10
- Tirana 5 2 3 9-10 7
- Skënderbeu 5 1 4 7-13 5
- Lushnja 5 1 4 6-14 2
- Elbasani 5 0 5 1-15 0