Gjergj Vyshka 16.05.2016 08:45
Ergysa Blloku, volejbollistja e Tiranës, është ndër ato lojtare që është thirrur për herë të parë në kombëtare nga Altin Martiro dhe Roland Tarja. Edhe pse është me eksperiencë të gjatë, teksa më parë ka luajtur në Kosovë për Dritën e Gjilanit e tashmë është pjesë e Tiranës, Blloku dukej sikur ishte harruar nga ata që ishin 3 vjet më parë në krye të kuqezinjve.
Sipas Bllokut, mungesa e saj në kombëtare, teksa prej më shumë se 5 vitesh aktivizohej me sukses tek Drita e Gjilanit, nuk ka emër të komentohet. “Nuk e di, -thotë lojtarja për “Sport Ekspres” – arsyen e vërtetë të kësaj mungesës time në kombëtare. Edhe unë kam qenë e zhgënjyer sinqerisht për këtë mungesë timen në ekipin përfaqësues.”
“Ndaj dhe mendoj që ndërrimi i trajnerëve ishte gjëja më e duhur që është bërë për kombëtaren”, – ka shtuar ai. Duke vijuar më tej, Blloku ka treguar se të gjitha përgatitjet e kombëtares deri në këto momente kanë shkuar mirë, ndërsa është punuar me dy seanca stërvitore në ditë, pjesa më e madhe e të cilave ka qenë e përqendruar në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”.
Për Bllokun nuk është mbingarkesë që përgatitjet e kombëtares kanë nisur menjëherë pas përfundimit të kampionatit, ndërsa Tirana ishte “nënkampion”. “Fakti që përgatitjet filluan menjëherë pas përfundimit të kampionatit nuk na pengon që të japim më të mirën për kombëtaren tonë, – ka theksuar volejbollistja. – Aq më tepër që ky ekip përfaqësues mblidhet pas tre vjetësh mungesë.”
“E theksoj dhe një herë, për mua nuk është ngarkesë, aq më tepër që përgatitjet janë duke shkuar mirë, së bashku me grumbullimin”, – ka shtuar Ergysa. Dhe duke mbetur tek ndërrimi i trajnerëve dhe ardhja në krye e Altin Martiros dhe Roland Tares, Blloku do të rideklaronte: “Të them të drejtën nuk kam pasur mundësi ta kem pasur trajner asnjërin prej tyre, sepse unë kam vite që nuk jam pjesë e kombëtares së të rriturave”.
“Por, për më tepër, unë kam luajtur prej shumë vitesh në Kosovë. Megjithatë jam shumë e kënaqur që Federata Shqiptare e Volejbollit mori vendimin për një ndryshim të tillë. Madje jam shumë e bindur që ka bërë zgjedhjen e duhur për të dy trajnerët, ndërsa gjej t’i falënderoj për çfarë janë duke bërë deri më tani”, – ka përfunduar volejbollistja e Tiranës dhe Kombëtares, Ergysa Blloku.