Gjergj Vyshka 16.05.2016 18:45
Cili do të jetë stacioni i ri i Ergysa Bllokut, ndërsa tashmë nisin të parashikohen lëvizjet në merkaton e verës? Por lojtarja e Tiranës e ka të vështirë ta japë një përgjigje të tillë tanimë, edhe sepse është e përqendruar totalisht tek Kombëtarja. “Për momentin nuk kam asgjë konkrete”, – thotë ajo.
“Tani jam e fokusuar tek kombëtarja, ndoshta më vonë kur edhe të kenë përfunduar këto ndeshjet nuk i dihet. Tanimë jam e kënaqur që jam në kombëtare”, – ka theksuar Ergysa Blloku. Ajo që duhet theksuar është fakti se në ndeshjen e fundit ndaj Barleti Volej, Ergysa Blloku ka luajtur me dëmtim në shpatull.
Kjo e ka detyruar masazhatori i Tiranës, Sabahat Kastrati, që t’ia mpijë gjatë lojës për të mos ndjerë dhembje. Tashmë situata ka ndryshuar, ndërsa ashtu sikurse pranon dhe vetë është nën mbikëqyrjen e fizioterapistit të kuqezinjve, Ervin Kapaj. “Deri më tani ka bërë një punë super të shkëlqyer”, – pohon sportistja.
“Ndihem mirë, sepse është fizioterapisti i kombëtares, ndërsa është ndër më të mirët në këtë fushë. Kështu që nuk kam më probleme”, – ka përfunduar volejbollistja e Tiranës dhe Kombëtares, Ergysa Blloku.